Zhvillohet takimi i GreenAL për të përcjellë rekomandime për energjinë dhe klimën
Në kuadër të projektit GreenAL, të implementuar nga Co-PLAN, u zhvillua takimi “Dialog i Shoqërisë Civile për Energjinë dhe Klimën: Rekomandime për Politikat Sektoriale”, ku u diskutua gjerësisht për të gjitha proceset e rëndësishme që po kalon Shqipëria në kontekstin e tranzicionit të gjelbër, si dhe u përcaktuan disa rekomandime për energjinë dhe klimën që do i përcillen politikbërësve në prag të zgjedhjeve të 11 Majit.
Pas fjalës hapëse të Menaxherit të Projektit të GreenAL, z. Imeldi Sokoli, u bënë disa prezantime nga aktorë të shoqërisë civile, mbi rrugëtimin e Shqipërisë drejt tranzicionit energjitik dhe klimaterik deri në vitin 2030, të cilët dhanë dhe rekomandimet përkatëse. Z. Meivis Struga (ETMI), në prezantimin e tij bëri disa rekomandime konkrete në disa drejtime, si për shembull mbi reduktimin e gazeve serrë apo reduktimin e konsumit final të energjisë. Z. Mentor Kikia (FML), u ndal tek disa raste të vëzhgimit të drejtpërdrejtë të ndryshimeve të klimës në terren, pasojat e këtyre ndryshimeve, dhe hapave që duhet të ndërmerren për t’u përballur me ndryshimet e klimës. Znj. Kejt Dhrami (Co-PLAN) bëri gjithashtu prezantimin e Policy Brief mbi Energjinë dhe Klimën, ku përcolli disa rekomandime konkrete për dekarbonizimin dhe tranzicionin energjetik.
Pjesë e takimit ishte dhe një panel diskutimi mbi rekomandimet për politikat sektoriale për aktorët politikë, ku dhanë kontributin e tyre z. Erjon Tase (Akademia e Studimeve Politike), znj. Valbona Mazreku (Milieukontakt), z. Mihallaq Qirjo (REC Albania) si dhe z. Elvis Ndreka (Co-PLAN).
Në vijim të takimit, do të dalë një paketë rekomandimesh për klimën dhe energjinë, të cilat do I shpërndahen dhe partive politike dhe që do të publikohet gjithashtu për median.