Takimi i parë rajonal për shkëmbimin e praktikave të mira dhe njohurive, në kuadër të projektit “Mundësi më të mira për punëtorët sezonalë në Europën Juglindore”

Përgjatë datave nga 25 deri në 28 Prill 2023, në kuadër të projektit “Mundësi më të mira për punëtorët sezonalë në Europën Juglindore”, një projekt i financuar nga GIZ Albania dhe me fokus tek 6 ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, u organizua në Budva takimi i parë rajonal për shkëmbimin e praktikave të mira dhe njohurive.

Ky takim u mundësoi institucioneve pjesëmarrëse të ekonomive të Ballkanit Perëndimor të shkëmbejnë eksperiencat e deritanishme në lidhje me rrugëtimin drejt rregullimit të punës sezonale. Gjithashtu u diskutua mbi sfidat dhe hapat drejt një reforme të shëndoshë në fushat përkatëse të interesit, siç janë bujqësia dhe turizmi.

 

 

Grupi Shqiptar i punës në këtë takim mori pjesë me anë të përfaqësuesve nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, dhe koordinuar nga Fiona Imami ekspertja e Co-PLAN Institute for Habitat Development, si partner lokal i GIZ për zbatimin e këtij projekti.

Ndërsa që partnerët patën mundësi të përfitojnë nga përvoja e aplikimit të reformës në Serbi, u diskutua në detaj për çështjet që lidhen me hartimin e një kuadri ligjor të posaçëm për rregullimin e punës sezonale dhe mundësitë e ngritjes së një sistemi të thjeshtuar të regjistrimit të tyre.

Share this Post