Si po e përballojnë pandeminë grupet vulnerabël, ja efektet e saj

Në datë 8 Mars 2020, në vendin tonë u konfirmuan 2 rastet e para të infektuar me Covid-19, ashtu si shtetet në botë, edhe Shqipëria zyrtarisht u fut në vendet ku ka të infektuar me virus.

Pandemia dhe efektet e saj goditën ekonominë dhe çdo sektor tjetër duke detyruar të largojnë nga puna mijëra qytetarë, shumë familje të varfëra nuk mund të punonin dhe si pasojë ata u varfëruan edhe më shumë.

Minoritetet Rome dhe Egjiptiane në Shqipëri, kanë qenë më të prekurit nga izolimi, një pjesë e mirë e këtyre minoriteteve punojnë duke ricikluar materiale të riciklueshme, kryesisht duke i marrë ato në kontenier dhe pas kolektimit, i tregtojnë për të përfituar para dhe për të jetuar.

Mijëra familje dolën të papunë, dhe shumë prej tyre nuk mundën të punonin si më parë si shitës apo si riciklues dhe kjo ndikoi negativisht për familjet rome dhe egjiptiane, ata nuk kanë mundur të përballojë izolimin e vendosur nga komiteti teknik i ekspertëve, dhe për pasojë ata protestuan në disa qytete të Shqipërisë:Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri etj.

Ilirjani është babai i 3 fëmijëve, ka lindur në Tiranë, dhe prej vitesh bashkë me familjen e tij tregton rroba të përdorura te tregu i romëve në Selitë. Bashkë me Ilirin janë edhe 53 familje rome, të cilat punën e tyre e kanë ndërtuar pranë këtij tregu. Por me mbërritjen e Covid 19 edhe në vendin tonë si dhe masat e marra nga qeveria, këto familje po hasin vështirësi të mëdha për të siguruar jetesën.

“Që prej ditës së parë kur u dha lajmi se do mbyllej gjithçka për tu izoluar, unë dhe familja ime u izoluam me shpresën se ditën tjetër ne do të punonin sërish.Gjatë pandemisë familjet këtu e kishin shumë të vështirë të ushqeheshin, pasi nuk mund të punonin më, edhe pse sot ne jemi akoma midis pandemisë, frika jonë është e madhe, çdo ditë ne shpresojmë se virusi do ikë dhe do të mund të jetojmë më lirshëm dhe do të kemi ekonomi më të fortë”tha Ilirjani për Community Reporters Albania.

Në Shqipëri sipas INSTAT numërohen rreth 63.670 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike të cilët klasifikohen si kategori në nevojë, ku të vetmet të ardhura të sigurta mujore kanë pagesën e ndihmës ekonomike. Disa kategori te tjera, të cilat kanë vështirësi të theksuara social-ekonomike, janë minoritetet rome dhe egjiptiane të cilat janë potencialisht më me risk për t’u prekur nga Covid-19 për shkak dhe të kushteve të vështira të jetesës.

Sot Shqipëria ndodhet ende në betejën për të luftuar pandeminë, institucionet lokale dhe qëndrore janë duke punuar me staf të limituar në zyra dhe kjo ka sjellur dhe problematikat e saj duke mos pasur mundësinë për të shërbyer por edhe për të ndihmuar grupet në nevojë pasi shumë prej tyre nuk kanë punë formale për të siguruar të ardhura të sigurta.

 “Në qytetin e Elbasanit janë rreth 1000 familje Rome dhe Egjiptiane që janë në vështirësi ekonomike dhe kryesisht merret me kolektimin e mbetjeve të riciklueshme, nga komunikimet me disa prej banorëve, shprehen se e kanë të pamundur të sigurojmë të ardhura ekonomike të sigurta për familjet e tyre”, tha Ervis Çota, drejtues i Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome në qytetin e Elbasanit.

Kryeplaku i fshatit Rom në Fier Panajot Alushi tregoi për C.R.A se janë më shumë se 60 familje që kërkojnë mbështetje për ushqime, medikamente dhe higjenues. “ Familjet rome protestuan 3 ditë rresht, bashkia reagoi duke shpërndarë disa pako ushqimore por edhe ata janë të pamjaftueshme për të gjithë familjet”.

Romët janë shtresa më e varfër që kanë një akses të ulët në shërbimet publike në krahasim me pjesën tjetër të popullatës, kjo ndikuar nga shumë faktorë, si strehimi, punësimi, shëndetësia, arsimi etj. “Institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa nisur nga vështirësitë që aktualisht familjet e varfra janë duke hasur. Në rast se kjo situatë e jashtëzakonshme do vijojë për një kohë të gjatë, minimumi duhet që familjeve t’u sigurohet mbështetje sociale për mos ti lënë në harresë”,  tha për Community Reporters Albania, Romina Sefa, drejtuese e Qendrës për Advokim Social.

Që prej Marsit 2020 institucionet arsimore  në vendin tonë u mbyllën për të parandaluar rrezikun e përhapjes së virusit Sars-Cov-2. Qytetarët ishin të izoluar dhe nuk dihej ende sesi do të funksiononte mësimi për fëmijët e tyre, Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve krijoi mundësinë që mësimin ta ndiqnin përmes disa platformave si RTSH Shkollë, mësime online me smartphone, tablet apo laptope.

Fëmijët e minoritetit Rom dhe Egjiptian sipas organizatave që punojnë për të drejtat e tyre treguan se aksesi për të hyrë “online” i fëmijëve ishte i kufizuar duke rënditur shumë problematika që pandemia krijoi dhe thelloi. Ky raport tregon se nga 2177 fëmijë të intervistuar, 1320 fëmijë ose 60.63% nuk kanë akses në internet, dhe 1023 fëmijë nuk kanë bërë asnjë ditë mësim online që prej mbylljes së shkollës.

Disa subjekte private morën një nismë për të dhuruar telefona smartphone për fëmijët që nuk kishin mundësi të ndiqnin mësimin online, në zonën e Yberishtit sipas Qendrës për Advokim Social tregojnë se nga rreth 200 fëmijë rom dhe egjiptian përfituan vetëm 12 fëmijë smartphone, ndërsa në Elbasan sipas Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome vetëm 3 fëmijë morën smartphone.

UNDP tregon në raportet e saj se “ne kemi vënë re se niveli arsimor mbetet shumë i kufizuar, por megjithatë një grup i vogël i romëve ka arritur të kryejë arsimin e mesëm ose arsimin terciar (3% e popullsisë së moshës 10 vjeç e lart). Pothuajse e njëjta përqindje ka kryer të paktën 10 vjet shkollë”.

Në muajin Shtator, ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, rihapi dyert e shkollës për ti vijuar sërish mësimin pas një shkëputje 6-mujore. Masat higjenike që u vendosën për fëmijët ishin: maska, higjenizues për duart dhe peceta të lagura, dhe firmosja e një vetdeklarimi për fëmijët çdo ditë nëse ata ishin të shëndetshëm, ose kishin një sëmundje, këto masa u ndërrmorën për të parandaluar përhapjen e virusit Covid-19 në shkollë.

Më fillimin e shkollës, rastet e para u shfaqën në klasa, kjo nga mësuesit, ndërkaq edhe për fëmijët rom dhe egjiptian, vështirësia për të siguruar çdo ditë këto masa, ishte e vështirë nga ana ekonomike.

Shumë prej familjeve rome dhe egjiptiane gjatë kohës së pandemisë, dolën të papunë apo nuk kishin mundësi të punonin si tregtar apo si riciklues, kështu që ata mbetet sërish në disfatë dhe kërkuan ndihmë tek organizatat dhe institucionet lokale, por sipas organizatës Qendra Për Advokim Social tregoi se familjet rome në Yzberisht, e kishin shumë vështirë të siguronin mjetet e nevojshme që fëmijët të vazhdonin shkollën përditë.

Fatmir Zyberi, baba i 7 fëmijëve, tregoi se e kishte të pamundur të siguronte mjetet që shkolla kërkonte për fëmijët që ishin në shkolla, “Nuk e mirëprita mirë këtë vendim nga ana e Ministrisë, unë nuk kam mundësi të blej përditë maska, higjenizues dhe letra të lagura, është shumë e vështirë për mua ti siguroj pasi më të ardhurat që unë siguroj mezi ja dalim në muaj, dhe këto kosto janë të larta për mua dhe nuk mund ti përballoj, ka pasur ditë që nuk I kam dërguar fëmijët në shkollë pasi nuk mund t’I siguroja këto mjete”, tregoi Fatmiri për Reporters Albania.

Edhe pse Shqipëria është ende nën “luftë” me Covid-19, e gjithë vëmëndja shkoi për situatën e pandemisë, ndërsa grupet vulnerabël nuk patën vëmëmendjen e duhur për ti mbështetur.

By: Brejdon Xhavara

SHËNIM:

* Ky shkrim synon njohjen me peizazhin e aktivizmit në Shqipëri, përmes shembujve konkretë, që paraqesin sfidat e arritjet për përmirësimin e shoqërisë shqiptare dhe organeve qeverisëse. Shkrimi u përgatit me mbështetjen e “Co-PLAN – Instituti për Zhvillimin e Habitatit”, në kuadër të “Ditës Kombëtare e Aktivizmit” (22 tetor 2020).

Share this Post