Shoqëria Civile diskuton me Kryeministrin për kuadrin rregullator të sektorit jo-fitimprurës

Mbi kuadrin rregullator të sektorit jo-fitimprurës u diskutua mbi të gjitha nevoja për njëjësimin e bazës ligjore për trajtimin fiskal të organizatave jo-qeveritare, jo-fitimprurëse. Duke rikujtuar ndryshimet e njëpasnjëshme të rregullave për trajtimin fiskal të sektorit, të copëzuara mes vendimesh qeverie, ministrore, qarkore apo udhëzime të brendshme, përfaqësuesit e shoqërisë civile paraqitën edhe njëherë shqetësimin e tyre për paqartësinë dhe konfuzionin e shkaktuar për sa i përket interpretimit dhe zbatimit të rregullave në fjalë. Gjithashtu, u theksua nevoja e plotësimit të kuadrit rregullator fiskal me synim qartësimin dhe dallimin mes aktiviteteve me karakter ekonomik dhe atyre jo-fitimprurëse. Gjatë diskutimit të kësaj çështje, vëmendje të veçantë ju dha ligjit “Për Inspektimin Financiar Publik” i miratuar rishtazi nga Parlamenti. Përfaqësuesit e shoqërisë civile i parashtruan Kryeministrit vërejtjet e tyre për sa i përket përmbajtjes së ligjit, hapave të ndjekura për hartimin dhe më pas për miratimin e tij.

 

Grupi i punës qeveri-shoqëri civile që pritet të rifillojë aktivitetin do të merret pikërisht me hartimin e një propozimi konkret që pajton kërkesat për transparencë dhe llogari-dhënie nga njëra anë dhe nevojën për një klimë të favorshme ligjore që nuk pengon përmbushjen e rolit të shoqërisë civile.

Çështja e dytë kryesore e diskutuar në takim ishte tërësia e marrëdhënieve qeveri-shoqëri civile. Rifillimi i aktivitetit të grupit të përbashkët të punës qeveri-shoqëri civile do të mundësonte përmirësime thelbësore nga ana metodike dhe përmbajtësore e marrëdhënieve mes dy palëve. Mirëfunksionimi i grupit të përbashkët të punës do të sjellë komunikim dhe diskutim më sistematik mes palëve, duke i dhënë shtysë një dinamike të re marrëdheniesh bazuar në mirëbesim reciprok dhe respektim të rolit dhe detyrave të të dyja palëve.

Përpos njohjes së nevojës dhe shprehjes së vullnetit të mirë për një dialog të vazhdueshëm mes dy palëve, mbetet akoma mjaft për t’u bërë për të përfshirë shoqërinë civile në proceset këshillimore dhe hartuese të politikave dhe ligjeve si mjet kryesor për të demokratizuar këto procese.

Tiranë, 10 korrik 2010

Share this Post

Leave a Comment