Programi i Partneritetit Urban (UPP II)
Vetëvlerësimi Financiar Bashkiak (MFSA) dhe Auditimi Urban (UA)
Periudha e zbatimit: 2016-2017
Donator: Banka Botërore
Fondi: $ 24,800
Zbatuar në: Elbasan, Berat, Lushnjë, Fier, Kuçovë, Vlorë, Himarë, Sarandë, Gjirokastër, Përmet
Implementuar nga: Co-PLAN
Programi i Partneritetit Urban është një iniciativë unike e Qeverisë Austriake dhe Bankës Botërore me qëllim forcimin e kapaciteteve të qeverisjes vendore dhe rritjes së bashkëpunimit mes bashkive të shtatë vendeve të Europës Juglindore, si Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, dhe Kosova.
Vetëvlerësimi Financiar Bashkiak (MFSA)
Një nga temat kryesore të kësaj iniciative ka të bëjë me financat e bashkive dhe lidhjen e tyre me investimet infrastrukturore dhe të lidhura me zhvillimin e tokës. Për këtë qëllim, zyrtarët e zgjedhur, administratorët e qytetit dhe stafi teknik u prezantuan me disa mjete praktike diagnostike që lehtësojnë proceset e vendim-marrjes, menaxhimin financiar efikas dhe efektiv në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm. Duke filluar në dhjetor të vitit 2011, një seri konferencash ndër-qytetase (C2Cs) kanë mbledhur së bashku përfaqësues të bashkive dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm nga shtatë vende të ndryshme të rajonit, për të diskutuar rreth çështjeve me interes të përbashkët. Sipas kësaj iniciative, bashkive të grupimit të parë (Fier, Lushnje, Kuçove, Berat, Elbasan) iu bashkëngjitën pesë bashki të reja (Përmet, Himarë, Sarandë, Gjirokastër, Vlorë) në fazën e dytë të zhvillimit të projektit. Të gjitha bashkitë u angazhuan mbi baza vullnetare në një proces të vetëvlerësimit, duke përdorur metodologjinë e Vetëvlerësimit Financiar Bashkiak (MFSA).
Auditimi Urban (UA)
Auditimi Urban është një mjet metodologjik i Programit të Partneritetit Urban, që i ofron bashkive një bazë të qendrueshme mbi të cilën mund të zhvillohet vendimmarrja racionale në lidhje me caktimin e projekteve prioritare. Ky instrument siguron një kornizë për zvogëlimin e hendekut mes planeve të investimeve kapitale, si dhe planit buxhetor afatmesëm. Auditimi Urban ofron një model për të ndihmuar qeveritë vendore të marrin vendimet më të mira për projektet urbane, në lidhje me nevojat e tyre aktuale dhe të ardhshme, duke konsideruar kapacitetin e tyre financiar. Në këtë kontekst, Co-PLAN mbështeti pesë bashkitë vullnetare (Fier, Lushnje, Kuçovë, Berat, Elbasan) të hartojnë auditimet e tyre urbane, dhe programet e tyre prioritare të investimeve (PIP) për 3 vitet e ardhshme. Procesi përfshiu ekspertë planifikimi dhe përfaqësues nga drejtoritë e financave të pesë bashkive partnere dhe u zhvillua në dy faza.