Partnerët e Cross-REIS mblidhen për të avancuar diskutimet mbi tranzicionin e gjelbër
Tiranë, Shqipëri | 12-14 Shkurt 2024 – Co-PLAN, në bashkëpunim me Universitetin Polis dhe me mbështetjen e Development Solutions Associates (DSA), mirëpriti partnerët e Cross-REIS në Tiranë për një aktivitet tre-ditor të dedikuar shkëmbimit institucional, bashkëpunimit në kërkim dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Aktiviteti bashkoi studiues, profesionistë dhe ekspertë nga e gjithë vendet partnere të Cross-REIS për të nxitur diskutime mbi tranzicionin e gjelbër, kërkimin dhe inovacionin e përgjegjshëm, bujqësinë rigjenerative dhe zhvillimin e qëndrueshëm urban.
Përmes një serie prezantimesh, vizitash në terren dhe sesioneve të diskutimit, pjesëmarrësit shkëmbyen eksperienca dhe hodhën bazat për partneritete të ardhshme kërkimore dhe iniciativa të përbashkëta brenda konsorciumit Cross-REIS dhe më gjerë.
Forcimi i rrjeteve të kërkimit dhe inovacionit
Takimi u hap me një prezantim mbi punën e Co-PLAN, ku ekspertë si Dr. Fiona Imami, Dr. Kejt Dhrami, Enkela Poro, Ogerta Gjiknuri (Co-PLAN) dhe Prof. Asoc. Merita Toska (Universiteti Polis) ndanë njohuri mbi projektet kryesore të kërkimit të institucionit.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të eksploronin laboratorët e inovacionit dhe qasjet kërkimore të zbatuara në Universitetin Polis, të cilat synojnë adresimin e sfidave shoqërore përmes një perspektive nga poshtë-lart. Dr. Elona Karafili (Zv. Rektor, Universiteti Polis) udhëhoqi një vizitë në Innovation Factory, duke prezantuar projektet në zhvillim. Diskutimi u pasua nga Claudia Romelli (Poliedra, Politecnico di Milano), e cila u ndal mbi qasjet inovative të projektit URDATA.
Dita u mbyll me një tur të udhëhequr në Tiranë, duke eksploruar investimet rigjenerative dhe të gjelbra të qytetit, të përafruara me Agjendën e Gjelbër 2030.
Eksplorimi i praktikave rigjenerative në Belsh
Dita e dytë i çoi pjesëmarrësit përtej Tiranës, në Bashkinë e Belshit, një Destinacion i Gjelbër i njohur për zhvillimin e tij të qëndrueshëm lokal. Nënkryetarja e Bashkisë Belsh, Romina Hysa, mirëpriti pjesëmarrësit dhe prezantoi strategjitë e bashkisë për nxitjen e rritjes ekonomike përmes investimeve të qëndrueshme dhe mbrojtjes së mjedisit.
Një vizitë në Institutin e Resurseve Gjenetike të Bimëve (IRGJB) ofroi njohuri mbi praktikat novatore të bujqësisë organike. Drejtori i IRGJB, Dr. Fetah Elezi, shoqëroi pjesëmarrësit në një tur të bankës së farave komunitare dhe praktikave rigjenerative në prodhimin e farave autoktone. Më tej, Prof. Drini Imami (DSA) ndau perspektiva mbi strategjitë e agrobiznesit dhe sistemet e qëndrueshme ushqimore.
Vizita përfshiu gjithashtu një ndalesë në iniciativën “The Black Horse”, një qendër inovative për bujqësinë dhe prodhimin e vajit të ullirit, e udhëhequr nga Denis Agolli, e cila integron teknikat tradicionale dhe moderne të kultivimit. Dita u përmbyll me një përvojë agroturizmi, duke theksuar rolin e tij në fuqizimin e ekonomive rurale dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm.
Nxitja e kërkimit dhe inovacionit të ardhshëm
Dita e fundit në Tiranë u fokusua në kërkimin shkencor, ekosistemet e inovacionit dhe partneritetet strategjike. Ekspertë nga DSA prezantuan arritjet e kërkimit në agrobiznes dhe prezantuan konceptin e Rural Living Lab (Laboratorit Rural të Gjallë) të dedikuar për prodhimin e ullirit. Prof. Drini Imami drejtoi diskutimet mbi inovacionin e qëndrueshëm bujqësor dhe sjelljen e konsumatorëve ndaj bujqësisë organike.
Një punëtori e dedikuar mbi matjen e kapitalit intelektual në institucionet e arsimit të lartë prezantoi metodologji për vlerësimin dhe përmirësimin e kapaciteteve kërkimore në vendet në zhvillim. Prof. Claudia van der Laag dhe Prof. John Östh (OsloMET) udhëhoqën diskutimet, së bashku me Milica Jovanović Vujatović (FEUN), e cila prezantoi kornizën e draftuar nga FEUN.
Takimi përfundoi me një sesion brainstorming mbi forcimin e partneriteteve strategjike për të nxitur inovacionin brenda Cross-REIS. Nën moderimin e Prof. Carlo Sessa dhe Tiago Zibecchi (EMEA), diskutimet u përqendruan në zhvillimin e propozimeve të përbashkëta kërkimore dhe veprimeve për kërkime me ndikim të lartë dhe zhvillim të politikave.
Gjatë tre ditëve të Cross-REIS, u riafirmua fuqia e bashkëpunimit në avancimin e inovacionit për një ekonomi rigjenerative dhe zhvillim të qëndrueshëm.