Ngritja e urave mes Teorisë dhe Praktikës: Shkolla e Tretë Dimërore e GreenFORCE organizuar nga Co-PLAN dhe Universiteti POLIS në Tiranë

Nga data 17 deri më 21 shkurt, studentë, studiues dhe profesionistë të planifikimit urban, mjedisit, gjeografisë etj., u mblodhën në Tiranë për Shkollën Dimërore Ndërkombëtare të GreenFORCE. E organizuar nga Co-PLAN (partneri udhëheqës i projektit), në bashkëpunim me Universitetin POLIS dhe disa partnerë ndërkombëtarë, kjo shkollë dimërore eksploroi mënyrat se si Zgjidhjet e Bazuara në Natyrë (NBS) mund të bashkëkrijohen në nivel lagjeje për të mbështetur Tranzicionin e Gjelbër.

Ky rrugëtim filloi me një seri leksionesh online, ku morën pjesë studiues dhe ekspertë nga Suedia, Italia, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Këto sesione shërbyen si përgatitje për ditët e aktivitetit në Tiranë, duke u ofruar studentëve një bazë teorike të fortë për të kuptuar dhe zbatuar parimet e Zgjidhjeve të Bazuara në Natyrë (NBS).

Me mbërritjen në Tiranë, pjesëmarrësit u pritën në Universitetin POLIS nga Prof. Dr. Besnik Aliaj, Rektor i Universitetit, i cili theksoi rëndësinë e shkëmbimeve ndërkombëtare në hartimin e politikave më të mira urbane dhe forcimin e bashkëpunimit akademik në fushat e mjedisit dhe planifikimit. Po atë ditë, diskutimet hyrëse u pasuruan me një prezantim tërheqës nga Dr. Doriana Musai, e cila i udhëhoqi pjesëmarrësit në një udhëtim vizual dhe analitik mbi transformimin urban të Tiranës ndër vite. Në pjesën e dytë të ditës, studentët u angazhuan në një ushtrim eksperimental (të bazuar në role) udhëhequr nga Silvi Jano, i cili shërbeu si një hyrje kreative për punën e tyre në terren—një mundësi për të konceptuar dhe eksperimentuar me parimet e dizajnit të Zgjidhjeve të Bazuara në Natyrë (NBS).

Përgjatë gjithë javës, Shkolla Dimërore u shndërrua në një hapësirë dinamike për eksplorim dhe mësim praktik. Një tur i udhëhequr nëpër Tiranë u ofroi pjesëmarrësve një kuptim më të thellë mbi formën urbane të qytetit, modelet e zhvillimit dhe sfidat hapësinore, duke theksuar nevojën për ndërhyrje inovative dhe të përshtatura me kontekstin lokal. Të ndarë në grupe pune dhe të shoqëruar nga mentorët e tyre, studentët realizuan observime në terren në lagje të ndryshme, duke mbledhur të dhëna mbi hapësirat publike, performancën mjedisore dhe nevojat e komunitetit. Ky hulumtim në terren shërbeu si bazë për fazën bashkëpunuese të dizenjimit, ku pjesëmarrësit analizuan sfidat dhe nisën formulimin e zgjidhjeve të bazuara në natyrë (NBS) për transformimin e lagjeve parafabrikate në Tiranë.

Seancat e zhvilluara në formën e studiove në Universitetin POLIS, gjatë ditëve në vijim, krijuan një mjedis të përshtatshëm për reflektim dhe kreativitet. Me mbështetjen e pedagogëve, studentët u angazhuan në zhvillimin e skenarëve, duke balancuar faktorët ekologjikë, socialë dhe ekonomikë për të propozuar ndërhyrje të realizueshme në lagje të caktuara (Lagjja e Ali Demit, Lagjja e ish-Parkut Teknologjik dhe Lagjja e 21 Dhjetorit). Përmes një kombinimi të diskutimeve kritike dhe punës praktike në dizajn, ata hartuan strategji inovative që mund të kontribuojnë në krijimin e hapësirave urbane më të gjelbra dhe më rezistente.

Pjesë e aktiviteteve të Shkollës Dimërore ishte dhe takimi me Z. Genci Kojdheli, Drejtor i Përgjithshëm për Integrimin, Planifikimin Strategjik dhe Zhvillimin Ekonomik në Bashkinë e Tiranës, i cili vuri theksin te përpjekjet e bashkisë për të integruar parimet e tranzicionit të gjelbër në zhvillimin urban, rëndësia e besimit të komunitetit në iniciativat për efiçiencën e energjisë, si dhe sfidat e balancimit midis rritjes së shpejtë dhe qasjeve të qëndrueshme. Ky dialog u dha studentëve një pasqyrë të vlefshme mbi proceset e qeverisjes dhe zbatimin e politikave, duke forcuar më tej rëndësinë praktike të propozimeve të tyre.

Në mbyllje të edicionit të Shkollës Dimërore studentët paraqitën propozimet e tyre përpara një paneli pedagogësh. Në një periudhë të shkurtër, por intensive, ata shfaqën kreativitet të jashtëzakonshëm dhe mendim strategjik, duke treguar sesi Zgjidhjet e Bazuara në Natyrë (NBS) mund të integrohen në mënyrë efektive në nivel lagjeje. Nën udhëheqjen e Dr. Kejt Dhrami, aktiviteti u mbyll me një ushtrim votimi argëtues, ku pjesëmarrësit përzgjodhën skenarët me impaktin më të madh në komunitet, që u pasua nga ndarja e certifikatave.

Share this Post