Ndotja në Tiranë – Prezantohet raporti alternativ i cilësisë së ajrit dhe nivelit të zhurmave
Në kuadër të projektit “Mbështetja e Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile” (GreenAL), që zbatohet nga Co-PLAN, u zhvillua aktiviteti “GreenAL: Publikimi i Gjetjeve Mjedisore, Grantdhënia dhe Rrjetëzimi.” Përgjatë aktivitetit, u publikuan gjetjet e raportit vjetor alternativ mbi cilësinë e ajrit dhe nivelin e zhurmave në qytetin e Tiranës për vitin 2024, si dhe u bë prezantimi i projekteve fituese në kuadër të thirrjes së parë për Grante Tematike dhe Rajonale. Në përfundim të eventit, u zyrtarizua rrjeti i organizatave të shoqërisë civile të GreenAL.
Ndotja në Tiranë sipas raportit alternativ të cilësisë së ajrit
Përgjatë vitit të shkuar, u monitorua ndotja në Tiranë në 13 stacione të shpërndara në unazën e vogël të Tiranës (Qendër, Treni, Piramida, Pazari i Ri, Rruga e Kavajës, Kryqëzimi i 21-shit, Zogu i Zi, Bulevardi, Medreseja, rruga “Bardhyl”, Shkolla “Mihal Grameno”, sheshi “Italia”, stadiumi “Dinamo”). Rezultatet për periudhën e monitorimit (gusht-dhjetor) tregojnë se disa stacione monitorimi kanë raportuar nivele të dioksidit të karbonit (CO₂), nivele të grimcave të imëta, dioksidit të azotit, si dhe nivele të zhurmës mbi kufijtë e pranueshëm. Për të lexuar raportin e plotë, klikoni këtu.
Fituesit e Granteve Tematike dhe Rajonale
Pjesë e eventit ishte gjithashtu dhe ceremonia e nënshkrimit të kontratave me fituesit e Granteve Tematike dhe Rajonale. Grantet ofrojnë ndihmë financiare për Organizatat e Shoqërisë Civile në Shqipëri që janë të fokusuara dhe të pajisura me ekspertizë në një nga temat e lidhura me klimën, natyrën dhe ndotjen. Fituesit e granteve janë si më poshtë:
- Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë
- Qendra shqiptare për zhvillim dhe integrim
- Qendra “Fol”
- Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri (REC)
- Shoqata “Qendra Sociale në Ndihmë të Njerëzve në Nevojë” (QSNNN)
- Shoqata “AGROPUKA” AP
- Qendra “Lëvizja Rinore për Democraci” Pukë
- Klubi Ekologjik, Lezhë
- Vizion Ekologjik per Rajonin e Shkodres
- Opportunity Balance and Overcoming
- Social Inclusion For Development
- Shoqata Ekspertët e Rinj Mjedisor (SHERM Albania)
- Agro-Eko Dibra
- Qendra “Changing the Future”
- Fondacioni Milieukontakt Shqipëri
- Trees for Lurë
- Agjencia Kombetare e Pyjeve
- Qendra Epoka e Re
- Vento di Terra, Shqipëri
- New Impact
- H2H Foundation
- North Green Association
- Art Kontakt
Memorandumi i Bashkëpunimit për Rrjetin e OSHC-ve GreenAL
Në fund të aktivitetit, u realizua dhe nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit për krijimin e Rrjetit të Organizatave të Shoqërisë Civile GreenAL, që synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet OSHC-ve mjedisore, OSHC-ve të tjera jo-mjedisore, ekspertëve, aktivistëve dhe palëve të tjera të interesuara, për të mbështetur përpjekjet kolektive për të ndërgjegjësuar dhe zhvilluar iniciativa të përbashkëta mbi sfidat mjedisore.
Në event, përcollën fjalën e tyre përshëndetëse Drejtoresha Ekzekutive e Co-PLAN, Anila Bejko (Gjika), si dhe Zëvendës Shefi i Misionit dhe Shef i Bashkëpunimit për Zhvillim të Ambasadës Suedeze në Shqipëri, Erik Illes.
Aktiviteti u realizua në kuadër të projektit GreenAL “Mbështetja e Organizatave të Shoqërisë Civile 2024 -2027”, financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida) me fondet e Qeverisë Suedeze dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo.