#nad – Dita Kombëtare e Aktivizmit, Edicioni i Shtatë
Dita Kombëtare e Aktivizmit, edicioni i shtatë i #NAD, e cila u mbajt nën moton “Voices for Inclusion”, solli së bashku një mori iniciativash dhe aktivistësh të angazhuar për diversitet dhe gjithëpërfshirje. Gjashtë nisma u vlerësuan me çmimin e aktivizmit për kontributet e tyre të rëndësishme në shoqëri.
Fituesit për këtë vit përfshijnë:
- Gruaja tek gruaja – Iniciativë për të drejtat dhe fuqizimin e gruas.
- Jetmir Kallollari – Aktivist për fuqizimin e personave me aftësi të kufizuara.
- Livia Zotrija – Aktiviste e komunitetit LGBTI.
- Misioni Emanuel – Iniciativë për integrimin social të të moshuarve në Korçë.
- Ana Dervishi – Aktiviste për të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve.
- Romina Sefa – Aktiviste për të drejtat e minoriteteve romë dhe egjiptianë.
Çmimet u shpallën nga McKenzie Louw, Shefja e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës Amerikane, dhe Anila Gjika, drejtuese ekzekutive e CoPlan, të cilat theksuan rëndësinë e aktivizmit dhe lëvizjeve shoqërore.
Nën tingujt e performancës live të Niko Bajrami #NAD2024 çeli pjesën e dytë të aktivitetit, Panairin e Aktivizmit! 35 nisma u bënë pjesë e këtij panairi shumëngjyrësh ku aktivistët prezantuan për qytetarët iniciativat, si dhe ndanë eksperiencat dhe kontributin e tyre për një Shqipëri më të drejtë. Ndërkohë 25 organizata të shoqërisë civile dhe aktivistë të përkushtuar për të sjellë ndryshim në shoqëri, u dhanë zë nismave të tyre në qytetin ku ata jetojnë dhe veprojnë si: Lushnje, Durrës, Fushë-Arrëz, Librazhd, Prrenjas, Burrel, etj. Pjesë e aktivitetit ishin ESD Albania dhe LuleBlini që përçuan tek ndjekësit mesazhin e tyre përmes performancave artistike dhe demonstruese. Nevoja për fuqizimin e grupeve të margjinalizuara dhe përfshirja e tyre në jetën sociale dhe atë politike ishte mesazhi që mbizotëroi në këtë edicion të 7 të Ditës Kombëtare të Aktivizmit, organizuar nga CoPlan me mbështetjen e Ambasadës Amerikane.
#NAD2024 #PanairiiAktivizmit #Diversitet #Perfshirje #coplan