Planet e Detajuara Vendore dhe Instrumentet Financiare për Zhvillimin e Tokës
Sistemi i planifikimit në Shqipëri ka pësuar ndryshime të rëndësishme dhe të ndjeshme gjatë dekadës së fundit. Kalimi nga një praktikë kryesisht e planifikimit urban e me fokus teknik, drejt një praktike të planifikimit shumëdimensional të territorit me fokus në procese socio-politike, qëndron në thelbin e reformës së planifikimit. Institucionalizimi i sistemit “të ri” të planifikimit të territorit, përtej operacionalizimit të tij nga pikëpamja strukturore, ligjore e institucionale, kërkon një ndryshim të thellë kulturor. Ndryshimet e viteve të fundit kanë sjellë risi të shumta nga pikëpamja e instrumenteve dhe proceseve në këtë fushë.
Niveli kombëtar është pasuruar me instrumente planifikimi si Plani i Përgjithshëm Kombëtar i territorit apo Plani i Detajuar për Zona të Rëndësisë Kombëtare. Në nivel vendor, edhe instrumentet kanë pësuar një ndryshim rrënjësor. Planet e Përgjithshme Vendore (PPV) e tejkalojnë qëllimin e ngushtë të planeve rregulluese të mëparshme, të cilat hartoheshin vetëm për zonat urbane, të kufizuara nga vija e verdhë. Tashmë, PPV-të kanë qasje gjithëpërfshirëse (përsa i përket procesit dhe aktorëve të përfshirë) dhe të integruar (me politikat sektoriale e ndërsektoriale, të cilat janë pjesë e PPV-së).
Ju mund të shkarkoni raportin këtu: Planet e Detajuara Vendore dhe Instrumentet Financiare për Zhvillimin e Tokës