Cmimi “Lidershipi Shqiptar” 2009
15 Janar 2010, Hotel “Sheraton”, ora 18.00
Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit organizoi për të gjashtin vit rradhazi ceremoninë e dhënies së Çmimeve “Lidershipi Shqiptar” 2009, që u ofrua për personalitetin më të spikatur në katër fusha veprimtarie: i) Shoqëri Civile; ii) Sektori Privat/Biznesi; iii) Media & Shtypi; iv) Qeverisja, si dhe v) Çmimin “Special”.
Co-PLAN nëpërmjet këtij çmimi synoi evidentimin dhe promovimin e vlerave më të mira të shoqërisë shqiptare përmes përfshirjes dhe shfaqjes së opinionit qytetar mbi katër nga aspektet më të rëndësishme të jetës së vendit.
Çmimi “Lidershipi Shqiptar” pati për qëllim të njohë vlera dhe arritje profesionale të individëve të ndryshëm, të cilët përmes punës së tyre kanë shërbyer si model pozitiv për shoqërinë, kanë sjellë risi në qeverisje si dhe kanë shfaqur vazhdimisht standarte të larta profesionale dhe etike.
Fushat, për të cilat Co-PLAN mundësoi çmimin “Lidershipi Shqiptar” 2009, janë:
• Shoqëria Civile – Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, bën pjesë në atë grupim organizatash jo-fitimprurëse të cilat falë punës, arritjeve dhe përkushtimit kanë zënë një vend të respektuar në ‘odeonin’ e publikut të gjerë, dhe sidomos te komunitetet të cilave u shërbejnë.
Gjatë këtyre 13 viteve aktivitet, Fondacioni ka arritur të përfaqësojë dhe advokojë suksesshëm në emër të personave me aftësi të kufizuar dhe së bashku me ta të sjellë një ndryshim të prekshëm për mentalitetin e shoqërisë shqiptare në drejtim të:
– Lobimit dhe përmirësimit të kuadrit ligjor për të gjitha kategoritë e aftësive të kufizuara, duke ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen e aksesit të këtyre kategorive në shoqëri.
– Rritjes së mobilitetit të personave me aftësi të kufizuar, duke qenë praktikisht i vetmi institucion publik dhe jopublik që plotëson në nivel të konsiderueshëm nevojat e kësaj kategorie me mjete lëvizëse, duke ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen e mundësive të tyre për integrim social.
– Përfaqësimit ligjor, këshillimit, trajnimit dhe punësimit me transparencë për këtë kategori sociale në nevojë.
Çmimi iu dorëzua Drejtoreshës së Fondacionit Znj. Blerta Cani nga Znj. Valdet Sala fituese e këtij çmimi për këtë kategori në vitin 2005.
• Sektori Privat/Biznesi – Dajti Express, është një investim serioz turistik dhe një shërbim cilësor për shoqërinë në tërësi. Ai kontribuon jo vetëm për komunitetin e qytetit të Tiranës por edhe më gjerë në rajon, duke shërbyer si një shembull mjaft i mirë se si potencialet e fjetura natyrore e turistike të vendit mund të rizgjohen përmes investimeve të tilla strategjike. Dajti Ekspres mbetet një vepër unikale në vend, jo vetëm për nga lloji i mobilitetit që ofron për të gjitha grupet shoqërore, por sidomos sepse ai harmonizon rekreacionin, turizmin me mbrojtjen e natyrës.
Edhe pse konsiderohet një investim i kushtueshëm në ndërtim dhe mirëmbajtje, i cili në kushte normale do të meritonte mbështetjen/subvencionimin e autoriteteve për impaktin që ka në ekonominë e turizmit, Dajti Ekspres menaxhohet me kujdes dhe pragmatizëm duke u vënë në dispozicion të vizitorëve vendas dhe të huaj.
Eshtë për t’u theksuar se “Teleferiku i Tiranës” – siç e quajnë qytetarët e thjeshtë – demonstron një teknologji, shërbim dhe siguri bashkëkohore të standardit të BE-së, i cili impakton padyshim imazhin jo vetëm të Tiranës, por dhe të Shqipërisë turistike në tërësi.
Përmes këtij çmimi “Lidershipi Shqiptar” vlerëson dhe inkurajon iniciativën dhe kreativitetin e sipërmarrjes së mirëfilltë shqiptare, e cila garanton integrimin real të Shqipërisë me botën moderne.
Çmimi iu dorëzua Presidentit të Dajti Ekspres Z. Muhamet Malo nga Znj. Arlinda Causholli përfaqësuese e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës si fitues i Lidershipit 2009 për këtë kategori.
• Media & Shtypi – Rezart Xhaxhiu, është një nga gazetarët profesionistë më të spikatur të medias së shkruar dhe elektronike me një karrierë solide që ka evoluar me dinjitet ndër kohë. Ai vlerësohet si një nga reporterët më të besueshëm të Radio Tiranës, sidomos për raportimet e tij pranë Këshillit të Europës. Z. Xhaxhiu ka qënë prezent si opinionist me përqasje interesante edhe në organe të përditshme të shtypit vendas.
Përgjatë karrierës së tij të gjatë televizive, Z. Xhaxhiu ka modeluar programe lajmesh dhe analize me sens të theksuar realizmi, përfshi “Emisionin për Kosovën” (vitet 90-të TVA), programi “ZIP” (vitet 2000 VIZION+) etj, duke vendosur standarde të prekshme të cilat janë shembull i mirë përballë ulje-ngritjeve të pavarësisë dhe identitetit të mediave të shkruara dhe elektronike.
Rezart Xhaxhiu është vlerësuar gjithmonë për mënyrën e dhënies së lajmit, e shoqëruar kjo me komente dhe biseda në studio, e cila rezulton e suksesshme dhe tërheqëse, shpesh përtej praktikave tradicionale. Ai është pranë njerëzve me lajmet, opinionet, sondazhet rreth temave më të diskutuara të ditës, biseda me të ftuar vip e njerëz të thjeshtë, e thënë ndryshe me një profil gjithëplanësh social.
Duke vlerësuar karrierën e Z. Rezart Xhaxhiu, “Lidershipi Shqiptar” njeh kontributin e çmuar të gjithë atyre mediave dhe profesionistëve me integritet që kanë punuar dhe sakrifikuar gjatë tranzicionit kompleks të Shqipërisë.
Çmimi iu dorëzua Z. Rezart Xhaxhiu nga Z. Adi Krasta fitues i Lidershipit 2008 për këtë kategori
• Qeverisja – Njësia e Transportit Mjeksor me Helikopter, është një nga strukturat më të qëndrueshme dhe serioze të shtetit shqiptar e cila ka dëshmuar profesionalizëm dhe shpirt sakrifice në situata komplekse të emergjencës, krizave apo fatkeqësive me karakter social dhe natyror.
Pilotët dhe stafi mbështetës i kësaj njësie japin prej vitesh një kontribut të jashtëzakonshëm në shërbim të qytetarëve të thjeshtë dhe komuniteteve në nevojë me moton “të shpëtojmë çdo jetë në rrezik”! Këta heronj të heshtur të një misioni të jashtëzakonshëm humanitar, ndërmarrin misione tepër të vështira duke u përballur vet shpesh me rrezikun i cili shfaqet jo-rrallë dhe mjaft i ndërlikuar.
Modestia dhe përkushtimi i këtij stafi meriton mirënjohjen dhe respektin e padiskutueshëm të shoqërisë shqiptare, e cila ka nevojë për pika të tilla referimi dhe solidariteti njerëzor. Duke vlerësuar “Njësinë e Helikopterëve” pranë Ministrisë së Shëndetit Publik, “Lidershipi Shqiptar” përulet me respekt të thellë përballë shpirtit të sakrificës së pilotëve dhe stafit të gjithë ekipeve të emergjencave të cilët kanë humbur jetën në misione të vështira shpëtimi.
Çmimi iu dorëzua nga Z. Ermir Dobjani fitues i Lidershipit 2007 për këtë kategori).
• Çmimi “Special” – Arbën Xhaferri, është një nga politikanët më serioze shqiptarë në kohët moderne, dhe mbetet padyshim një nga intelektualët më të çmuar e me ndikim në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri.
Z. Xhaferri njihet si avokat i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe ka publikuar disa botime serioze mbi këtë çështje. Ai njihet si iniciuesi i ndryshimit të preambulës së Kushtetutës Maqedonase dhe si ndërtuesi i platformës për demokraci konsensuale. Ky ishte parakushti për parandalimin e tendencave margjinalizuese të aplikuara kundrejt shqiptarëve para dhe gjatë konfliktit në Maqedoni, si dhe mjeti që rezultoi të ishte efikas kundër tendencave për rindarje territoriale konfliktuale në rajon.
Gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoni, Z. Xhaferi investohet tek faktori ndërkombëtar që motivet e luftës të mos kërkohen tek paragjykimet ndaj shqiptarëve, por tek koncepti i shtetit i cili nuk përputhej me realitetin. Qasja e tij në atë kohë turbullirash u përkrah nga faktori ndërkombëtar, duke bërë të mundur krahas faktorëve të tjerë legjitimimin e qëndresës së shqiptarëve në Maqedoni. Kjo politikë stimuloi bisedimet e Ohrit, të cilat përfunduan me një marrëveshje për ndërrimin e konceptit etnocentrik të shtetit.
Si themelues dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Maqedoni, Arbën Xhaferri ka dëshmuar integritet intelektual dhe politik duke qenë ndër të paktët politikan shqiptar që njeh institucionin e dorëheqjes dhe lënien e hapësirës për të rinjtë. Z. Xhaferri vijon të jetë edhe sot e kësaj dite mjaft aktiv në mediat shqiptare duke kontribuar në mënyrë kualitative për të ravijëzuar qëndrime serioze dhe realiste të shoqërisë mbarëshqiptare ndaj dilemave të kohës.
Me këtë vendim “Lidershipi Shqiptar” nderon edhe shqiptarët e Maqedonisë, të cilët në mënyrë të heshtur dhe në vazhdimësi japin kontributin e tyre të çmuar në artikulimin e çështjes kombëtare.
Çmimi iu dorëzua Z. Arbën Xhaferri nga Z. Dritan Shutina, Drejtori Ekzekutiv i Co-PLAN.
Ky çmim, i ofruar dhe i akorduar prej vitit 2004 nga Co-PLAN, që tashmë është kthyer në traditë, përgjatë pesë viteve të shkuara (2004 – 2008) fitohej duke ndjekur një proçes të hapur dhe publik disa mujor, që i nënshtrohej përzgjedhjes dhe vlerësimit të Komitetit Shqiptar për Lidership.
Në këtë kontekst u ngrit Komiteti Shqiptar për Lidership, i përbërë nga figura të njohura, me reputacion për kontributin intelektual, me një rol kyç në përzgjedhjen e kandidaturave në katër fushat e sipërpërmendura. Komiteti Shqiptar për Lidershipin kishte për detyrë të përzgjedhte kandidatët e propozuar gjatë proçesit të votimit. Përzgjedhja mbështetej në kriteret të cilat synojnë të promovojnë vlera pozitive të lidershipit shqiptar.
Përgjatë vitit 2009, Co-PLAN organizoi në mjediset e Universitetit POLIS në prani të shumë prej fituesve dhe anëtarëve të Komitetit për Lidership ndër vite, takimin e parë të Asamblesë së Miqve të “Lidershipit Shqiptar”. Anëtarët e kësaj Asambleje kontribuan me ide mjaft të vlefshëm lidhur me moderimin, menaxhimin dhe organizimin me efikasitet dhe mençuri të këtij procesi. Bazuar në idetë dhe sugjerimet e dhëna si dhe në bashkëpunim e vazhdueshëm frytdhënës midis ekipit organizues dhe anëtarëve të Asamblesë, këtë vit skema e Lidershipit u reformua si në vijim:
(i) U ngritën pesë Ekipe Identifikuese për identifikimin e kandidatëve për kategoritë përkatëse: (i) Shoqëri Civile, (ii) Sektori Privat / Biznes, (iii) Media dhe Shtypi, (iv) Qeverisje dhe (v) Çmimi Special. Ekipet Identifikuese përbëheshin nga 5 anëtarë, figura të rëndësishme dhe mjaft të njohura në fusha të ndryshme dhe emrat e të cilëve mbeten konfidencialë;
(ii) U ngritën pesë Ekipe Përzgjedhëse për përzgjedhjen e kandidaturave të ofruara nga Ekipet Identifikuese për kategoritë përkatëse. Ekipet Identifikuese përbëhen nga 5 anëtarë, anëtarët e të cilëve janë individë që kanë kontribuar denjësisht për shoqërinë shqiptare në fushat përkatëse të veprimtarisë së tyre. Ata ishin: Valdet Sala, Bashkim Hoxha, Ermir Dobjani, Vasilika Hysi, Adi Krasta, Bashkim Sala, Ilir Zhilla, Eglantina Gjermeni, Aldo Bumçi, Altin Hazizi, Arlinda Çausholli, Skënder Minxhozi, Besnik Aliaj, Sotir Dhamo, Dritan Shutina.
Ceremonia e dhënies së çmimeve u zhvillua në datë 15 Janar 2010, në një mbrëmje Gala në Hotelin Sheraton, në orën 18:00, në praninë e autoriteteve më të larta të shtetit dhe personaliteteve të shoqërisë shqiptare, trupit diplomatik, të ftuarve brenda dhe jashtë vendit, dhe laureatëve e familjarëve të tyre.
Çmimet u dorëzuan nga një prej anëtarëve të Ekipeve Përzgjedhëse. Ceremonia shoqërohej pas dhënies së çmimeve, nga një fjalim i shkurtër prej secilit nga fituesit (i lidhur me fushën dhe arritjet për të cilën kanë fituar çmimin) dhe i gjithë evenimenti u ndoq dhe i’u përcoll publikut nga mediat vendase.