GreenAL – Tryezat e Rrumbullakëta bashkojnë Palët e Interesit në të gjithë Shqipërinë

Nga fundi i muajit Prill deri në muajin Qershor, partnerët e GreenAL kanë zhvilluar 9 tryeza të rrumbullakëta në qarqe të ndryshme në të gjithë Shqipërinë, nga të cilat 8 tryeza rajonale u zhvilluan në qytetet kryesore të qarqeve, specifikisht në qytetet Vlorë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Fier, Pogradec, Dibër, Kukës dhe u përmbyll me një tryezë kombëtare në Tiranë.

Gjatë këtyre takimeve, ekipi i GreenAL prezantoi projektin, duke përshkruar objektivat e tij, temat kryesore që do të mbështesë, mundësitë e financimit për organizatat pjesëmarrëse, afatin kohor të projektit, integrimin e perspektivës gjinore dhe mbështetjen tematike që do të ofrojë për OSHC-të mjedisore. Pjesëmarrësit morën gjithashtu informacion në lidhje me faqen e internetit dhe mediat sociale të projektit GreenAL, të cilat do të ndihmojnë në promovimin e punës së OSHC-ve mjedisore, si dhe do të shërbejnë për të publikuar rezualtatet nga monitorimi i ndotjes akustike, së ajrit, të ujit dhe të tokës.

Qëllimi i këtyre takimeve ishte të bashkonte aktorë të ndryshëm, me fokus primar tek OSHC-të mjedisore, aktivistët mjedisorë, ekspertët, akademikë, bizneset, përfaqësuesit e komuniteteve dhe institucioneve të tjera publike në nivel lokal, rajonal apo kombëtar, dhe të shërbente si hapësirë për të paraqitur çështje mjedisore me rëndësi për ta. Këto takime ndihmuan për të kuptuar sfidat me të cilat ballafaqohen OSHC-të mjedisore dhe për të eksploruar kontributet e tyre të mundshme në adresimin e problemeve të identifikuara mjedisore.

 

 

Tre tematikat e projektit janë Ndryshimet Klimatike, Natyra dhe Ndotja të cilat janë në përputhje me zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Tematikat kryesore të diskutuara përgjatë këtyre takimeve lidhen me: përmirësimin e infrastrukturës dhe menaxhimin e mbetjeve urbane, mbrojtjen e biodiversitetit, rehabilitimin e habitateve, përfshirjen e komuniteteve dhe OSHC-ve lokale në projekte, mbrojtja e zonave të mbrojtura, përmirësimin e habitateve të dëmtuara nga ndërtimi i HEC-eve, monitorimin e efekteve që sjellin ndryshimet klimaterike, monitorimin e cilësisë së ujit, ajrit dhe tokës, sikurse dhe matjen e ndotjes akustike.

Gjatë gjithë aktiviteteve, kishte pjesëmarrje nga përfaqësues të 95+ organizatave, 15+ institucioneve, 15+ Bashki, 5+ institucioneve arsimore dhe palë të tjera të interesuara. Tryezat e rrumbullakëta angazhuan mbi 230 individë, me një shpërndarje gjinore prej 40% meshkuj dhe 60% femra.

Prezantimin e përdorur gjatë takimeve mund ta gjeni këtu.

Share this Post