Qeverisja për zgjidhjen e problematikave që lidhen me ndryshimet klimatike
Lexoni artikullin e plotë: Governance for Climate Change Resolution
Qeverisja Territoriale në Shqipëri, I, 2018, Faqja 105-121
Rodion Gjoka, Xhesika Hoxha, Kristi Bashmili
Përmbledhje
Një vlerësim në shkallë të gjerë i qasjes së qeverisjes dhe menaxhimit ndaj kontekstit kompleks dhe të paparashikueshëm të ndryshimeve klimatike, si dhe i efekteve dinamike të këtyre të fundit në sistemet sociale, ekologjike dhe atmosferike përbën thelbin e këtij artikulli. Në Shqipëri, ndikimet e ndryshimeve klimatike janë ndjerë kryesisht në sektorin e bujqësisë dhe energjisë dhe pritet që këto ndikime tëjenë edhe më të mëdha në të ardhmen (Ministria e Mjedisit, 2016). Që nga ratifikimi i Marrëveshjes së Parisit në 2015, në Konferencën e 21- të të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, shumica e qeverive qendrore në mbarë botën kanë miratuar masa për uljen e shkarkimeve të gazeve të efektit serrë (GES) në atmosferë dhe kjo ka një ndikim në modelet industriale të çdo vendi1. Ky angazhim reflekton një model të ri të qeverisjes ndërkombëtare që synon të balancojë ambicien, llogaridhënien dhe transparencën në angazhimet e marra në mënyrë të drejtë, të barabartë dhe të saktë, duke pasur si qëllim zhvillimin e qëndrueshëm. Edhe Shqipëria po përpiqet të përshtatë një strategji dhe kornizë ligjore, dhe, që prej 3 vitesh, është në proces të shqyrtimit ndërministror të dokumenteve përkatëse. Megjithatë, ende nuk ka pasur një progres të mjaftueshëm në aspektin e zbatimit dhe nuk duket të ketë ndonjë lëvizje dedikuar zbutjes së ndikimeve të sipërpërmendura. Përmes trajtimit të aspekteve të ndryshme të qeverisjes që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike, siç janë aspektet ndërkufitare, detare apo ato që kanë të bëjnë me pylltarinë, energjinë, bujqësinë dhe ekonominë rurale, etj., ky artikull do të identifikojë sfidat që lidhen me zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimatike dhe me adaptimin ndaj tyre. Artikulli gjithashtu do të japë rekomandime në lidhje me efektet e ndryshimeve klimatike, veçanërisht në nivel hartimi dhe zbatimi të politikave. Një sërë rekomandimesh do të paraqiten si produkt i praktikës kërkimore të kryer për këtë artikull.