Forumi i Zonave të Mbrojtura

U mbajt më datë 26 janar  “Forumi i Zonave të Mbrojtura”, ku u diskutuan tema të mprehta lidhur me mbrojtjen e natyrës në Shqipëri.

Ky takim, i organizuar nga Koalicioni i Zonave të Mbrojtura, përfaqësuar nga AOS-Albanian Ornithological Society, #ResPublica dhe EcoAlbania zhvillohet në kuadër të projektit #GreenAL. Me këtë rast, aktorë të ndryshëm në nivel kombëtar e lokal shtruan pikëpamjet e tyre mbi situatën aktuale të konservimit të natyrës, ngritën shqetësime, por edhe shtruan për diskutim zgjidhje të mundshme.

Taulant Bino, President i Shoqatës Ornitologjike e Shqipërisë (AOS-Albanian Ornithological Society) bëri të ditur se OJF-të në vendin tonë aktualisht kanë nxjerrë në pah parregullsi proceduriale sidomos nga pikëpamja e kuadrit ligjor, përsa i takon këshillimit publik, si edhe për investimet strategjike. Të gjithë mangësitë e evidentuara, sipas Binos, do të diskutohen me organizatat mjedisore, për t’i ndjekur më pas me hapa ligjorë.

Ambasadorja e Suedisë në Tiranë, Elsa Håstad u shpreh se Shqipëria ka bërë punë mjaft intensive për përshtatjen e kuadrit ligjor sipas direktivave të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e natyrës, por zbatimi është në fazë të hershme. Ambasadorja shtoi se ruajtja dhe konservimi përballet me sfida që duhet të kthehen në mundësi gjatë përgatitjes së negociatave me BE-në.

 

“Është e mrekullueshme të shohësh se si ky bashkëpunim i Ambasadës me Co-PLAN dhe tre partnerët e tjerë në programin #GreenAL po ofron mjete, burime dhe më e rëndësishmja platforma për organizatat dhe aktivistët mjedisorë që të bashkohen, të ndajnë njohuritë, të shprehin shqetësimet dhe të bashkojnë përpjekjet për më shumë ndikim dhe pushtet. #GreenAL është një shtëpi e madhe e hapur ku pjesë e saj janë më shumë se 70 organizata” – u shpreh Ambasadorja Håstad.

Rodion Gjoka, përfaqësues i Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, zbatues i Green-AL, duke folur mbi punën e realizuar deri më sot, theksoi sesa e rëndësishme është që organizatat pjesmarrëse në këtë projekt prekin të gjithë spektrin e mjedisit.

Në ditën e dytë të “Forumit të Zonave të Mbrojtura” është zhvilluar një aktivitet përmbyllës, ku pjesëmarrësit kanë vizituar dhe kundruan nga afër shpendët në Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë.

 

Forumi u organizua në kuadër dhe me mbështetjen e #GreenAL një projekt i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SIDA) me fonde nga Qeveria Suedeze dhe zbatuar nga Co-PLAN Institute for Habitat Development, në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo dhe CISP Sviluppo dei Popoli.
#protectedareas #conservation #coplanalbania

Share this Post