Praktika të Reja për Zhvillimin dhe Manaxhimin e Tokës në Shqipëri

  • Tuesday July 9th, 2013
  • Past
  • 0
  • 2853

Ky botim është në vazhdim të përpjekjeve që Co-PLAN bën për zbatimin e ligjit nr. 10119 “Për planifikimin e territorit”, i ndryshuar së fundmi. Libri në fjalë është i bazuar në pesë raste studimore  të cilët shtrihen në tri nga bashkitë e mëdha të vendit, Durrësit, Fierit dhe Shkodrës. Puna në bashki është fokusuar kryesisht në hartimin e këtyre rasteve studimore të mundshmërisë së zbatimit të instrumenteve të reja të manaxhimit të tokës; me anën e të cilëve do të mundosohet balancimi i interesave publikë dhe privatë në zhvillim, duke inkurajuar forcimin e demokracise dhe rolin e ligjit në zhvillimin e tokës në Shqipëri.

Përmes rasteve studimore, ky botim mundohet që të vëj në dukje nevojën që ka Shqipëria për tranzitimin nga zhvillim i tokës në bazë parcele (apo 3-4 parcelash) në një zhvillim territorial, që merr parasysh kontekstin përreth dhe një hapësire më të madhe, në bazë zone. Ky zhvillimi në bazë zone, përveç ndikimit në anën fizike/ hapësinore të strukturave apo hapësirave përreth, merr parasyh edhe kostot e sigurimit të infrastrukturës publike, në mjedis dhe ndryshimin e vlerës së pronave, si pasojë e zhvillimit në zonë.

Ndryshimet e fundit ligjore (Referuar pikës 2 të nenit 45/1 në ligjin nr. 10119, “Për planifikimin e territorit”, i ndryshuar), në ligjin 10119, detyrojnë çdo njësi të qeverisjes vendore, bashki apo komunë, të pajisë të gjithë territorin e saj me instrumente të detajuara vendore, brenda 24 muajve nga miratimi i instrumentit të përgjithshëm vendor. Rastet studimore në libër parashtrohen si instrumente të detajuara vendore të cilat mund të vijnë në ndihmë autoriteteve planifikimit dhe të kontrollit të zhvillimit të territorit në bashkitë/ komunat të cilat tashmë kanë një plan të përgjithshëm vendor, në fuqi.

Libri “Praktika të Reja për Zhvillimin dhe Manaxhimin e Tokës në Shqipëri”, duke marrë parasysh vështirësitë e hasura përgjatë punës për hartimin e rasteve studimore dhe jep disa përfundime dhe rekomandime që duhen të merren parasysh si nga autoritetet vendimarrëse por edhe nga zhvilluesit dhe profesionistët, si aktorë të rëndësishëm në zhvillimin dhe kontrollin e territorit në Shqipëri. Rekomandimet shprehin, gjithashtu, rëndësinë e hapave që duhen marrë nga aktorët në fjalë, me qëllim mundësimin e zbatimit të instrumenteve të manaxhimit të tokës, që baza ligjore për planifikimin dhe zhvillimin e tokës mundëson sot për territorin e Shqipërisë. Rekomantimet lidhen ngushtë me: kuptimin dhe përvetësimin e terminologjisë së re të përdorur në ligjin 10119; instrumenteve të manaxhimit të tokës (p.sh. Transferimi i të Drejtave për Zhvillim); rëndësinë e NjQV-vë si kryenegociatore në procesin e hartimit të Planeve të Detajuar Vendore; anën financiare të zbatueshmërisë së instrumenteve të detajuar vendore (kryesisht mbulimin me infrastrukturë publike) apo dhe çështjen e pronës (hartat kadastrale) si një nga inputet kryesore në zhvillimin e tokës.

Lexoni / Shkarkoni Librin “Praktika të Reja për Zhvillimin dhe Manaxhimin e Tokës në Shqipëri”

Share this Post

Leave a Comment