Rreth Çmimit ‘Lidershipi Shqipëtar’
Çmimi `Lidershipi Shqipëtar` ofrohet për personalitetin më të spikatur në katër fusha veprimtarie: Shoqëria Civile, Qeverisje, Media & Shtypi, Sektori Privat / Biznesi. Natyrshëm mund të lindin pyetje si: Përse ofrohet?
Por, cili është qëllimi dhe përse pikërisht Co-PLAN e ka ndërmarrë një nismë të tillë?
Këto pyetje sqarohen lehtësisht, nëse njihet sadopak natyra dhe qëllimi i punës së Co-PLAN që gjatë gjithë ekzistencës së tij 12 vjeçare ka qenë shumë i ndjeshëm karshi problematikave sociale, ekonomike, kulturore dhe qeverisëse. Marrëdhënia e kësaj organizate me QYTETIN dhe, rrjedhimisht, me të gjithë komponentët e tij, e ka bërë të jetë shumë i ndjeshëm ndaj vlerave, normave, moralit, kulturës, gjuhës, formave të ndryshme të biznesit, medias këtij gjigandi të përçimit të informacionit, promovimit të vlerave, dhe ndaj qeverisjes.
Co-PLAN, si pjesë e shoqërisë civile, e ka ndërmarrë këtë nismë, kryesisht, për të evidentuar personalitete me kontribut gjurmëlënës në të sotmen dhe në të ardhmen e vendit, por edhe për t’iu kundërvënë kuptimit të përhapur gjerësisht në popull, që termin “lider” e identifikon vetëm me personalitete të politikës.
Nisma për krijimin dhe akordimin e `Lidershipit Shqiptar` stimulon të aftët, të mençurit, qytetarët dhe hedh poshtë opinionin ekzistues të mbrapshtë, sikur këto kategori e kanë `braktisur` Shqipërinë. Në këtë fazë tranzicioni ende të pakapërcyer nga vendi ynë, kjo nismë promovon pikërisht ato vlera, që i shkojnë përshtat standarteve të pranuara gjerësisht brenda dhe jashtë vendit, të cilat përqafohen nga mbarë opinioni publik, duke u përpjekur të thyeje me këtë nismë mentalitete të ngurtësuara.
`Lidershipi Shqiptar` i sjellë në katër fusha kryesore të shoqërisë civile, qeverisjes, medias & shtypit dhe sektorit privat / biznesit, nuk pretendon të japë çmim në vlerësime specifike teknike të këtyre fushave. Qëllimi i Co-PLAN është ti bashkojë këto kategori në një logjikë të vetme, atë të lidershipit. Si janë përcjellë elemente të tillë si: menaxhimi, ndershmëria në përdorimin e fondeve, komunikimi, ndihmesa në promovimin e vlerave sociale etj., nga liderë të këtyre fushave. Është një nismë e vështirë, e cila mbart në vetvete edhe risqe, por është mbështetur e po afirmohet, gjë që vërteton edhe një herë se koncepti `lider` duhet mishëruar.
QËLLIMI
Çmimi `Lidershipi Shqiptar` synon evidentimin dhe promovimin e vlerave më të mira të shoqërisë shqiptare përmes përfshirjes dhe shfaqjes së opinionit qytetar mbi katër nga aspektet më të rëndësishme të jetës së vendit.
Çmimi `Lidershipi Shqiptar` ka për qëllim të njohë vlera dhe arritje profesionale të individëve të ndryshëm, të cilët përmes punës së tyre kanë shërbyer si model pozitiv për shoqërinë, kanë sjellë risi në qeverisje si dhe kanë shfaqur vazhdimisht standarte të larta profesionale dhe etike.
Çmimi `Lidershipi Shqiptar` ka për qëllim të promovoje vlera dhe kontribute pozitive në sfera të tilla si:
1. shoqëri civile
2. qeverisje
3. media & shtypi
4. sektori privat / biznesi
Dhënia e çmimeve kalon përmes një proçesi përzgjedhës të kandidaturave të sygjeruara nga opinioni publik dhe finalizohetnëpërmjet Komitetit Shqiptar të Lidershipit, i cili rinovohet çdo vit.
Co-PLAN në këtë proçes ka rolin e organizatorit dhe lehtësuesit, krijon dhe koordinon lidhjet e duhura për një finalizim sa më dinjitoz të këtij çmimi.
Ky çmim, i ofruar dhe i akorduar prej vitit 2004, nga Co-PLAN, që tashmë është kthyer në traditë, fitohet duke ndjekur një proçes të hapur dhe publik disa mujor, që i nënshtrohet përzgjedhjes dhe vlerësimit të Komitetit Shqiptar për Lidership.
Fushat, për të cilat Co-PLAN mundëson çmimin `Lidershipi Shqiptar 2008`, janë:
• Shoqëria Civile, figura më kontribuese në zhvillimin e saj.
• Qeverisja, shembulli model e frymëzues për t’u ndjekur.
• Media, si një nga pushtetet me ndikim të fuqishëm shoqëror.
• Sektori Privat / Biznesi, individi ose kompania më e spikatur, që ka dëshmuar përgjegjësi të larta sociale.
KOMITETI
Komiteti Shqiptar për Lidership, ka një rol të rëndësishëm në proçesin për dhënien e çmimit, dhe ruan një status honorifik. Anëtarët e këtij Komiteti, që përzgjidhen nga Co-PLAN janë figurat më të spikatura për kompetencën profesionale, kontributin për problemet sociale dhe me impakt në shoqëri.
Komiteti Shqiptar për Lidershipin, i përbërë nga figura të njohura, me reputacion për kontributin intelektual, ka një rol kyç në përzgjedhjen e kandidaturave në katër fushat e sipërpërmendura. Komiteti Shqiptar për Lidershipin ka për detyrë të përzgjedhë kandidatët e propozuar gjatë proçesit të votimit. Përzgjedhja mbështetet në kriteret të cilat synojnë të promovojnë vlera pozitive të lidershipit shqiptar.
Anëtarë të Komitetit Shqiptar për Lidership për vitin 2005 kanë qenë:
Artan FUGA – Pedagog në Universitetin e Tiranës dhe punonjës i asociuar pranë Universitetit Paris–X Nanterre
Andi BUSHATI – Analist
Fatih GULEBAKAN – Menaxher Administrativ i Kompanisë `Gintas`
Milva EKONOMI – Drejtoreshë e INSTAT
Ruzhdi KEÇI – Prefekt i Tiranës
Anëtarë të Komitetit Shqiptar për Lidership për vitin 2006 kanë qenë:
Artur KURTI – Kryetar i Bashkisë Kuçovë
Blendi FEVZIU – Analist, Opinionist
Dritan SHUTINA – Drejtor Ekzekutiv i Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit
Erion VELIAJ – Lëvizja `Mjaft`
Gazmend HAXHIA – Biznesmen
Majlinda BREGU – Deputete në Parlamentin Shqiptar
Shezai RROKAJ – Rektor i Universitetit të Tiranës
Anëtarë të Komitetit Shqiptar për Lidership për vitin 2007 janë:
Ariana FULLANI – Drejtoreshë e Shkollës së Magjistraturës
Arjan ÇANI – Gazetar
Avni PONARI – President, Kompania e Sigurimeve SIGAL
Besnik ALIAJ – Rektor i Universitetit POLIS
Dritan SHUTINA – Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit
Edmond SPAHO – Deputet në Parlamentin Shqiptar
Valentina LESKAJ – Deputete në Parlamentin Shqiptar
Anëtarë të Komitetit Shqiptar për Lidership për vitin 2008 janë:
Besnik ALIAJ – Rektor i Universitetit POLIS
Ermelinda MEKSI – Deputete në Parlamentin Shqiptar
Gazmend OKETA – Deputet në Parlamentin Shqiptar
Ilir ZHILLA – Unioni i Dhomave të Tregtisë
Sokol BALLA – Drejtor i Departamentit të Lajmeve, Top – Channel
Sotir DHAMO – Anëtar i Bordit Drejtues të Co-PLAN
Valdet SALA GTZ, Projekti i Shoqërisë Civile
Komiteti rifreskohet çdo vit, duke ruajtur një nivel të lartë profesionaliteti të anëtarëve të tij.
FITUESIT 2004 – 2008
Fituesit e çmimit `Lidershipi Shqiptar` 2004:
`Ekolëvizja` – Shoqëria Civile
Grupimit të OJF-ve ambientaliste
Bashkia Tiranë – Qeverisje Lokale
Televizionit `Teuta` – Media
`Qintas` – Sektori Privat / Biznesi
Fituesit e çmimit `Lidershipi Shqiptar` 2005:
Valdet Sala – Shoqëria Civile
Artur Kurti – Qeverisje Lokale
Blendi Fevziu – Media
Edmond Leka – Sektori Privat / Biznesi
Fituesit e çmimit `Lidershipi Shqiptar` 2006:
Eglantina Gjermeni – Shoqëria Civile
Ardian Turku – Qeverisje Lokale
Baftjar Zeqaj – Qeverisje Lokale
Arjan Cani – Media
Refik Halili – Sektori Privat / Biznesi
Fituesit e çmimit `Lidershipi Shqiptar` 2007:
Remzi Lani – Shoqëria Civile
Avokati i Popullit – Qeverisje
Sokol Balla – Media dhe Shtypi
Avenir Kika – Sektori Privat / Biznesi
Fituesit e çmimit `Lidershipi Shqiptar` 2008:
Altin Hazizaj – Shoqëria Civile
Arqile Gorea – Posta Shqiptare Qeverisje
Adi Krasta – Media dhe Shtypi
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës – Sektori Privat / Biznesi
Fatmir Sejdiu – Çmimi Special `Lidership` 2008
Kriteret për akordimin e çmimit
Çmimi `Lidershipi Shqiptar` do të jepet për ata individë të cilët kanë kontribuar denjësisht dhe kanë promovuar vlera të cilat vlejnë si model për shoqërinë shqiptare përkatësisht në katër fusha:
Shoqëria Civile
ku kandidati (individi ose institucioni) duhet të:
• ketë kontribuar në demokratizimin e shoqërisë dhe institucionit/komunitetit ku ai kontribuon;
• ketë sjellë risi në modelet e bashkëpunimit mes aktorëve të ndryshëm të shoqërisë (shoqëri civile – qeverisje – sektorit privat apo publik);
• ketë demonstruar përgjegjshmëri profesionale dhe etike, vizibilitet të qartëdhe rezultate të prekshme.
Qeverisje
ku kandidati (individi ose institucioni) duhet të:
• ketë ditur të inspirojë tek qytetarët modele pozitive të vlefshme për t`u ndjekur;
• ketë demonstruar standarte cilësore në komunikim, menaxhim dhe raportim;
• ketë demonstruar përgjegjshmëri në respektimin e ligjislacionit, administrimin e burimeve materiale dhe finaciare, me transparencë dhe korrektesë.
Media dhe Shtypi
ku kandidati (individi ose institucioni) duhet të:
• ketë ndihmuar për informimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit publik;
• mbartë vlera të etikës profesionale, pavarësisë dhe objektivitetit;
• ketë gjeneruar diskutime për tema me interes publik në fusha të shoqërisë, duke kultivuar mendimin e pavarur qytetar.
Sektori Privat / Biznesi
ku kandidati (individi ose kompania) duhet të:
• ketë demonstruar përgjegjshmëri sociale;
• ketë demostruar dhe promovuar standarte të larta të etikës profesionale në menaxhim;
• jetë i/e suksesshme dhe të ketë gjeneruar prodhime/shërbime vendase.