Kampioni i ACT NOW
Ambasada Amerikane në Tiranë ka përzgjedhur CO-PLAN në bashkëpunim me Universitetin POLIS, dhe Komunën Kashar si “Kampion i ACT NOW!” për muajin Janar 2013, si një iniciativë e pare në kuadër të lëvizjes “ACT NOW”. Ky çmim vlerëson të parën strukturë të ndërtuar më shishe plastike në Shqipëri, nga Co-PLAN në bashkëpunim me Universitetin POLIS dhe Komunën Kashar gjatë Javëve të Arkitekturës në Tiranë, Shtator-Tetor 2012.
Stacioni i Autobuzit me Shishe Plastike në Kashar ofron një shembull shumë të mirë të dizajnit kreativ dhe riciklimit për një mjedis më të pastër. Për ndërtimin e këtij stacioni u përdorën rreth 10,000 shishe të vogla plastike të ricikluara në pesë muaj, si dhe një skuadër e përbërë nga Arkitektë, Planifikues Urban, Ekspertë të Art-Dizajnit si dhe shumë student.
Shishja e parë e këtij stacioni të veçantë u vendos nga Ndihmës-Sekretari i Departamentit të Shtetit Amerikan, Z. Philip Reeker, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, më 8 Shtator, 2012, i cili vizitoi dhe përshëndeti grupin e punës.
Nisur nga origjinaliteti në dizajn dhe qasje, ky projekt nuk e ka patur të lehtë të pranohet në nivel lokal, pavarësisht mbështetjes së vazhduar të Komunës Kashar. Megjithatë, Co-PLAN dhe Universiteti POLIS janë të vendosur të vijojnë me eksperimente të ngjashme në nivel lokal në të mirë të komunitetit dhe mjedisit ku jetojmë. Gjejmë rastin të ftojmë për bashkëpunim partnerë të lëvizjes mjedisore në vend, për të vazhduar me sipërmarrje të tjera të suksesshme.
Së fundmi, gjejmë rastin të falenderojmë dhe të ndajmë këtë çmim me të gjithë stafin, studentët në Co-PLAN, Universiteti POLIS, studio arkitekturore MetroPolis, si dhe bashkëpunëtorët në Komunën Kashar!