Seminar – Rrjeti i Ballkanit Perëndimor për Qeverisjen Territoriale
Më 17-18 maj 2018, u zhvillua në Tiranë seminari i parë i cili synonte ndërtimin e Rrjetit të Ballkanit Perëndimor për Qeverisjen Territoriale. Organizatat e shoqërisë civile nga rajoni (Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi) dhe ekspertë dhe hulumtues nga vende të ndryshme të BE-së (Italia, Luksemburgu, Hungaria, Sllovenia, Sllovakia, Holanda) shprehën interesin e tyre për t’u përfshirë në këtë iniciativë me synimin për të nxitur ndryshimet që zhvillojnë dhe mbështesin inovacionet për një qeverisje më të mirë territoriale për vendet e Ballkanit Perëndimor në përputhje me ambiciet e tyre në BE. Gjatë seminarit, nëpërmjet një sërë prezantimesh, diskutimesh, konsultimesh dhe reflektimesh mes pjesëmarrësve u dakordësua se misioni i rrjetit do të arrihej përmes mjeteve dhe qasjeve që pasqyrojnë specifikat makro-rajonale dhe përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në: shpërndarjen e informacionit dhe njohurive, qasjes së audiencave të ndryshme të profesionistëve dhe vendimmarrësve, krijimin e laboratorëve të ndryshëm, rrjetëzimin dhe partneritetet, duke u ndërlidhur me institucionet e BE-së dhe krijimin e observatorëve të bazuar në fakte që adresojnë zhvillimin dhe qeverisjen territoriale.