Planifikimi dhe nxitja e investimeve për kohezion social dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Gramsh
Periudha e zbatimit: Qershor 2016 – Qershor 2018
Donator: Programi Italo-Shqiptar i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim (IADSA)
Fondi: 65.773.428 lekë
Zbatuar në: Bashkinë Gramsh
Implementuar nga: Co-PLAN dhe Bashkia Gramsh
Përgjatë vitit 2016 e në vazhdim, Co-PLAN në bashkëpunim me Bashkinë e Gramshit punoi për zbatimin e projektit të mbështetur nga IADSA, mbi kohezionin social dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Bashkinë e Gramshit. Pas miratimit dhe zbatimit të Reformës se re Administrative Territoriale, bashkia e re e Gramshit përballet me sfida komplekse, pasi ajo përfshin një territor më të madh e të larmishëm, qoftë nga aspekte topografike, përdorimi i tokës, përbërja socio-ekonomike, etj. Si pasojë, një nga prioritetet kryesore të identifikuara për zhvillimin e përgjithshëm të bashkisë, është hartimi i dokumenteve strategjike gjithëpërfshirëse që do të udhëheqin zhvillimin social, ekonomik dhe territorial. Ky projekt ka si objektiv të përgjithshëm promovimin e kohezionit social mbi baza territoriale dhe mbështetjen e zhvillimit të balancuar rajonal në Bashkinë e Gramshit. Në mënyrë më specifike, projekti ka për qëllim:
- Të orientojë zhvillimin social në Bashkinë e Gramshit përmes një plani të zhvillimit social dhe ndërhyrjeve katalitike në qendrën e qytetit dhe
- Të nxisë e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm në Bashkinë e Gramshit përmes një strategjie zhvillimi afatmesme dhe ndërhyrjeve të harmonizuara katalitike dhe promovuese. Disa nga aktivitetet dhe rezultatet kryesore për vitin 2017 përfshijnë:
- Përgatitjen e projektit të projektimit duke u fokusuar në rritjen e ndërveprimit shoqëror dhe angazhimin në qendrën e qytetit, që lidh segmentin e “Rrugës Devoll” me zonën para lumore të qytetit;
- Zhvillimin e një sërë analizash, duke përfshirë ato socio-ekonomike, demografike, infrastrukturën dhe shpërndarjen e varfërisë në territor;
- Identifikimin e potencialeve ekzistuese për zhvillimin e turizmit, identifikimin e itinerareve ekzistuese dhe atyre të mundshme; si dhe angazhimin e aktorëve të përfshirë në proceset e ndryshme të zinxhirit të vlerës;
- Ndërtimin e një baze të dhënash GIS dhe dokumentimin e të gjitha pasurive dhe potencialeve për zhvillimin e turizmit;
- Kryerjen e një fushate promovuese në mediat sociale dhe konvencionale për zhvillimin e turizmit në Gramsh, si një destinacion i ri, i pazbuluar.
Më shumë informacione në lidhje me projektin mund të gjeni këtu. Gjithashtu, nëpërmjet hashtag #ejanëgramsh (në rrjete të ndryshme sociale) mund të jeni pjesë e fushatës së Bashkisë Gramsh për promovimin e turizmit dhe të informoheni mbi aktivitetet e realizuara.