Historiku i Co-PLAN
Në fillim të viteve ’90, disa ekspertë të rinj shqiptarë, me ndihmën e organizatave të specializuara holandeze, pilotuan me sukses përvojat e para të planifikimit urban realist në Shqipëri në disa zona në nevojë në Tiranë. Kjo fazë shënoi dhe lindjen e Institutit për zhvillimin e Habitatit, Co-PLAN. Pavarësisht rezistëncës dhe trysnisë së kohës, Co-PLAN i replikoi këto modele me sukses dhe në vitet pasuese, në nivel dhe më të gjerë duke përfshirë ‘qytetin’. Rezultati ngjalli mirënjohje mes organizmave ndërkombëtare dhe debat politik në vend. Historitë e suksesit të aktivitetit të Co-PLAN shërbyen si dëshmi dhe baza të forta për ndërtimin e partneriteteve me pushtetin vendor dhe qendror; moment kulmor në aktivitetin e Co-PLAN është shënuar nga programi EGUG [Enabling Good Urban Governance], Mundësimi i Qeverisjes së Mirë Urbane, financuar nga Qeveria Holandeze, i cili shërbeu si pikë referimi për programe të tjera të donatorëve të huaj, si UNDP dhe World Bank. Rritja dhe zhvillimi i Co-PLAN ka qënc një përgjigje ndaj tri fazave të zhvillimit dhe qeverisjes urbane në Shqipëri, duke qënë një përpjekje për t’ju përgjigjur dhe për t’i paraprirë problemeve të tij.
[Vitet ’90 – Qyteti i ndërtuar nga njerëzit!] Një fazë gjatë së cilës shoqëria Shqiptare u gjend para pikëpyetjeve të mëdha në lidhje me identitetin e saj dhe ndryshimet social-politike që po përjetonte. Lëvizjet e mëdha e të pakontrolluara demografike, qartësisht reflektuan nevojën për qasje të planifikimit urban për adresimin e problematikës së urbanizimit të përshpejtuar. Me moton ‘Qyteti i ndërtuar nga njerëzit’ Co-PLAN ndërtoi me sukses modele dhe skema pilot në zonat periferike e informale.
[Vitet 2000-2005 – Qytetet motorë të zhvillimit!] Thellohet kriza hapësinore për shkak të rritjes së pakontrolluar të qendrave të banimit dhe shpërndarjes pa kriter. Instrumentet e kontrollit dhe të planifikimit të asaj kohe ishin të pamjaftueshëm, tek sa koncepti i ‘qytetit’ ndryshoi me dinamika kaotike, kryesisht të paplanifikuara. Në thelb të kësaj problematike, Co-PLAN zhvilloi ekspertizën ë saj planifikuese të tipit rregullues e strategjik në nivel qyteti/bashkie. Spikat programi EGUG [enabling good urban governance], i cili shënon një hap të rëndësishëm në planifikimin urban shqiptar; përtej modeleve tradicionalisht të aplikuara.
[ Vitet 2005 – Drejt Ndikimit në Politikëbërje!] Kjo periudhë shënon hyrjen e Shqipërisë në një fazë konsolidimi; zhvillimi dhe integrimi euroatlantik. Për pasojë, shënohet një reduktim i programeve të mbështetura nga organizatat ndërkombëtare. Në shoqërinë shqiptare vërehen shenjat e para kontradiktore të aspiratave europiane , që u rritën përtej asaj që mundësonte realiteti. Kjo periudhë reflektimi për Co-PLAN nxori në pah domosdoshmërinë e burimeve njerëzore të kualifikuara me ekspertizë në planifikim dhe arkitekturë, si dhe nevojën për të ndikuar në politikëbërje. Viti 2006 shënoi themelimin e Universitetit Polis.
[ Sfida! ] Nuk kanë munguar paragjykimet, debatet, dhe presionet. Në këtë atmosferë, Co-PLAN ka zgjedhur të pozicionohet në mbështetje të interesit publik dhe komunitetit. Tashmë synojmë të promovojmë një sistemi të ri planifikimi hapësinor kombëtar dhe qeverisjeje, në linjë me atë që shtetet e BE-së po ndërtojnë prej disa dekadash. Nëpërmjet propozimit të Platformave Politike, Co-PLAN synon të provokojë debat; disa ide tashmë janë adoptuar në iniciativa zyrtare ligjore; ide të tjera janë hedhur në tryezat e debatit politik.