Hapja Zyrtare e Projektit EFFORT: Një Hap për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Efikasitet Energjitik

Ceremonia e hapjes zyrtare të projektit EFFORT – “Përmirësimi i Objekteve për një të Ardhme me një Trajektore Optimale të Burimeve dhe Efikasitetit të Energjisë”, u mbajt në ambjentet e Info Kullës në Rubik, Bashkia Mirditë. Ky projekt, i financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit Cross-border Albania-Kosovo, Pre-Accession Assistance (IPA II), është zbatuar nga Bashkia Mirditë, Komuna Junik dhe Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit.

EFFORT ka për qëllim përmirësimin e efikasitetit energjetik të ndërtesave publike në Bashkinë e Mirditës dhe Komunën e Junikut, duke reduktuar ndjeshëm konsumimin e energjisë. Kjo do të arrihet përmes instalimit të pajisjeve inovative dhe promovimit të praktikave të qëndrueshme për menaxhimin e ndërtesave. Projekti përfshin instalimin e paneleve diellore në 10 ndërtesa publike në të dy bashkitë, duke kontribuar në zhvillimin e një infrastrukture më të qëndrueshme dhe promovimin e energjisë së rinovueshme.

Në ceremoninë e hapjes, u mbajtën fjalime përshëndetëse nga përfaqësues të Bashkisë Mirditë, Komunës Junik dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Albert Mëlyshi, theksoi rëndësinë e këtij projekti për qytetarët dhe rajonin, duke vlerësuar mundësitë që do të krijohen për zhvillimin e një infrastrukture të qëndrueshme dhe integrimin e burimeve të rinovueshme të energjisë. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me autoritetet e energjisë për të arritur qëllimet e projektit dhe për të siguruar një impakt të qëndrueshëm në nivel lokal.

Përfaqësues të tjerë, si z. Besart Tofaj, nënkryetar i Komunës Junik, dhe Znj. Anila Bejko, drejtoreshë ekzekutive e Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, prezantuan qëllimet dhe rolin e tyre në realizimin e projektit, duke theksuar përfitimet që do të sjellë projekti, si përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit përmes investimeve në energjinë e rinovueshme dhe efikasitetin energjetik.

Përfaqësuesi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Jean-Noel Gangloff, dhe Znj. Carla Folgoa, theksuan mbështetjen e Bashkimit Evropian për projektin dhe mundësitë që ai ofron për përmirësimin e infrastrukturës energjetike në rajon.

 

 

Menaxheri i projektit, z. Elvis Ndreka, përmbylli sesionin e prezantimit, duke dhënë detaje rreth aktiviteteve dhe përfitimeve që ky projekt do të sjellë, me fokus në investimet për energjinë e rinovueshme dhe efikasitetin energjetik në ndërtesat publike. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet e tjera për realizimin e qëllimeve të projektit dhe suksesin e tij.

Takimi u ndoq nga një pjesëmarrje e gjerë nga institucione të ndryshme qendrore dhe lokale nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe përfaqësues të sektorëve të energjisë, mjedisit dhe arsimit, të cilët shprehën mbështetje për realizimin e këtij projekti. Diskutimet u fokusuan në aspekte teknike, ligjore dhe mbështetje institucionale për implementimin e projektit, ndërsa pjesëmarrësit diskutuan rëndësinë e angazhimit të aktorëve lokalë dhe ndërkombëtarë për të siguruar realizimin e tij dhe maksimizimin e përfitimeve ekonomike dhe mjedisore.

Pas diskutimeve, u organizua një vizitë prezantuese për rajonin e Mirditës, duke filluar nga Info Kulla, ku u prezantuan objektet turistike dhe kulturore të zonës. Vizita vazhdoi me një ndalesë në Kishën e Shëlbuemit të Vjetër, e njohur ndryshe si Kisha e Rubikut, një objekt i rëndësishëm kulturor që mbart vlera të mëdha historike dhe shpirtërore për komunitetin lokal.

Projekti EFFORT zbatohet nga Bashkia Mirditë, Komuna Junik dhe Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, dhe financohet nga Bashkimi Europian përmes programit IPA Cross-Border Shqipëri-Kosovë.

Share this Post