Sektori i energjisë dhe BRE në kontekstin shqiptar

Lexoni artikullin e plotë: Energy Sector Towards the Renewable Potential in the Albanian Context

Qeverisja Territoriale në Shqipëri, I, 2018, Faqja 122-142

Rodion Gjoka

Përmbledhje

Sektori i energjisë sot prezantohet si një forcë orientuese ndaj ndryshimeve rrënjësore që po ndodhin në Shqipëri. Kalimi prej burimeve energjetike me bazë fosile dhe atomike, me ndikim të theksuar në mjedis, drejt prodhimit të energjisë së rinovueshme po rijetëzon ekonomi dhe shtete në shkallë globale.Ndërkohë, në kontekstin tonë, ky sektor ka mbetur historikisht si një variabël e prurjeve atmosferike dhe regjimit hidrografik të lumenjve e burimeve. Gjatë dekadës së fundit, çdo vit, Shqipëria është paraqitur si një importues neto i energjisë elektrike, kryesisht gjatë periudhës së verës, duke dëshmuar qartësisht për varësinë e sistemit nga një regjim i paqëndrueshëm hidrologjik. Kjo situatë bart një rrezik potencial dështimi në rast se kombinohet me humbje të mëdha dhe sjellje të papërgjegjshme ndaj konsumit të energjisë. Për më tepër, efektet nga ndryshimet klimatike (NK) kanë prekur drejtpërdrejt këtë sektor. Për shembull, thatësira dhe reshjet e reduktuara gjatë vitit 2017 kontribuan në uljen e baseneve ujëmbledhëse të hidrocentraleve, duke detyruar në këtë mënyrë OSSHEE dhe KESH të importojnë rreth 120 milionë euro energji elektrike. Aktualisht në Shqipëri regjistrohen rreth 500 hidrocentrale, operativë/në ndërtim ose të planifikuar prej vitit 2005. Nga këto, 105 janë të pozicionuar në zona të mbrojtura. Këto vepra inxhinierike kanë pasur një impakt të qenësishëm në mjedisin dhe biodiversitetin lokal. Përpos problematikave në prodhim dhe transmetim, Shqipëria ka një problem edhe më të madh i cili lidhet me konsumin, kryesisht nga ana e infrastrukturave publike, të cilat jo vetëm rezultojnë si konsumatorët më të papërgjegjshëm, por kanë edhe aftësi të ulët për të mbuluar faturën e energjisë. Nga ana tjetër, sektori banimit është përgjegjës për konsumin e të paktën 47% të sasisë totale të energjisë së prodhuar në një vit. Ky artikull prezanton përfundimet e një procesi kërkimor mbi situatën energjetike shqiptare në këndvështrimin e qëndrueshmërisë. Do të trajtohen prodhimi, konsumi, eficienca, burimet e rinovueshme të energjisë (BRE), orientimi strategjik dhe nxitja e qëndrueshmërisë mjedisore dhe ekonomike të këtij sektori.

Share this Post