Efiçenca e Energjisë në Banesa – Takim kombëtar
Koha e Zbatimit: 2009-2011
Donatori: Komisioni Europian
Fondi: 99,497 Euro
Zbatuar në: Bashkinë Fier
Sektori i banesave është një nga konsumatorët kryesorë të burimeve energjetike në Shqipëri. Niveli i konsumit të energjisë nga sektori i banesave, në vitin 2005 arriti shifrën 27% ndaj kërkesës për energji që shënoi shifrat 60%. Shqipëria është një vend mesdhetar dhe pjesa më e madhe e ndërtesave të banimit ose janë të pa termoizoluara ose karakterizohen nga një izolim i lehtë i mureve të jashtme dhe tarracës/ çatisë dhe dritare me një xham.
Për vite me radhë bashkitë nuk kanë qenë në gjendje që të adresojnë konsumin e energjisë në sektorin e banesave si pasojë e mungesës së kompetencave dhe instrumenteve të duhur. Pas viteve ’90, përgjegjësia për mirëmbajtjen e ndërtesave të banimit u bë një koncept që për banorët nuk kishte më kuptim të personifikohej me një entitet apo person të veçantë, kjo edhe për faktin se kontratat e privatizimit të apartamenteve nuk u shoqëruan nga një klauzolë , e cila specifikonte edhe çështjen e mirëmbajtjes të pjesëve të përbashkëta.
Megjithatë, këto vitet e fundit procesi i decentralizimit i ka dhënë bashkive më shumë përgjegjësi në lidhje me sektorin e banesave; në veçanti ligji i fundit për Bashkëpronësinë, i cili i jep të drejtën dhe autoritetin bashkive për t’i kërkuar banorëve të ndërtesave të banimit të formojnë asambletë e bashkëpronarëve dhe të zgjedhin kryesinë e asamblesë, e cila do të jetë përgjegjëse për mirëmbajtjen e hapësirave kolektive. Në të njëjtën kohë ligji është një instrument i fuqishëm që bashkitë të mund të ndërhyjnë edhe në problemet e efiçencës së energjisë në sektorin e banesave. Por ajo që duhet të kuptojmë është fakti që bashkitë nuk kanë akoma eksperiencë në zbatimin e ligjit të ri.
Në këtë kuadër projekti “Reduktimi i energjisë së përdorur dhe i emetimeve të CO2 ndërmjet partneritetit të shoqërisë civile dhe pushtetit vendor për edukimin e popullsisë dhe rritjen e efiçiencës termike në ndërtesat e banimit” ishte iniciativa e ndërmarrë nga Co-PLAN Instituti për Zhvillimin e Habitatit, i cili tentojë të ndërtojë një partneritet midis shoqërisë civile dhe pushteti vendor (Bashkia Fier) për të rritur ndërgjegjësimin ndaj mundësive për kursimin e kostos duke rritur efiçencën termike, duke përdorur fuqinë që Bashkisë i jep ligji i ri për Bashkëpronësinë.