Ceremonia e dhënies së çmimit special “Lidershipi Rajonal 2024″
Lidershipi Rajonal 2024 – Z. Dritan Abazović
Për gati 20 vite Instituti Co-PLAN akordon “Çmimin e Lidershipit Shqiptar” si një instrument për të promovuar vlera dhe shembuj të mirë në shoqëri në fushat e Qeverisjes, Mediave, Shoqërisë Civile e Biznesit.
Co-PLAN akordon së fundmi në bashkëpunim të ngushtë me Universitetin POLIS edhe “Çmimin Special të Lidershipit” për figurat të spikatura, të cilët kanë impakt të gjerë në rajon.
Sivjet, ky çmim shkoi për Z. Dritan Abazović, një figurë e shquar e politikës dhe jo vetëm. Z. Abazović – është politolog dhe autor i dy librave: “Kultura kozmopolitane dhe drejtësia globale” si dhe “Një kritikë e etikës globale”. Me një përvojë të pasur në shkencat sociale-politike dhe një karrierë të suksesshme politike, Dritan Abazović ka ndikuar në shumë fusha të jetës publike. Veprimtaria e tij e gjerë përfshin botimin e shumë punimeve shkencore në revista vendase dhe ndërkombëtare.
- Abazović është ish-kryeministri i parë shqiptar në Malin e Zi, i cili ka kanalizuar energjitë dhe angazhimin e tij publik duke kontribuar për konsolidimin e shtetit, bashkëjetesës dhe demokracisë, në Malin e Zi dhe rajon. Ai është një intelektual i suksesshëm dhe kërkues në fushat e shkencave social-politike, e të zhvillimit në tërësi, me një përvojë të pasur ballafaqimi publik në nivel lokal e ndërkombëtar, duke investuar energjitë në Malin e Zi dhe në Ballkanin Perëndimor. Mbështetës i iniciativave qytetare e akademike, si dhe i projekteve shtetërore për liritë dhe të drejtat e njeriut, për bashkëpunimin më të mirë mes rajonit, sidomos në procesin e integrimit evropian dhe lider vizionar e mbështetës i iniciativave që ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe nxisin lidhje të ngushta në rajon.
- Abazović është mbështetës i nismave të Institutit Co-PLAN dhe të Universitetit POLIS për hartimin e një vizioni të përbashkët zhvillimi hapësinor midis rajoneve ndërkufitare të Shqipërisë dhe të Malit të Zi si dhe promotor i Projektit të Urës mbi lumin Buna, një përpjekje me potencial të jashtëzakonshëm për të fuqizuar turizmin dhe zhvillimin në Shqipëri, Mal të Zi e rajon.
Gjithashtu, nismëtar për debate me interes publik e politik, dhe i misioneve me karakter humanizmi për zgjidhjen e situatave të krizave në rajon dhe më gjerë.
Ndër të tjera, Dritan Abazović ka përvoja të çmuara si shtetar në Malin e Zi, përfshi ato si kryetar i Byrosë për Koordinim Operacional (2021); i Këshillit për Luftimin e Korrupsionit (2021-2022); i Këshillit për të Drejtat e Fëmijëve (2022); i Këshillit për Siguri Kombëtare (2022) e shumë të tjera. Për më tepër, është nderuar me doktoraturë nderi për udhëheqjen dhe kontributin e tij në ligjet, promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon nga Universiteti Luarasi (Shqipëri, 2021), UMEF Zviceran (Zvicër, 2022), Universiteti Mesdhetar i Shqipëri (Shqipëri, 2022), Kolegji Ndërkombëtar UNI Universum (Kosovë, 2023), Universiteti Medeniyet i Stambollit (Turqi, 2023).
Ceremonia “Lidershipi Rajonal” u zhvillua në ambientet e Universitetit Polis me pjesëmarrjen e Z. Abazović dhe figurave të njohura të politikës në Malin e Zi, si ish ministri i Brendshëm dhe i Mbrojtjes Filip Adžić, si dhe stafi i Co-Plan dhe stafi e studentëte Universitetit Polis.
Momente me Z. Abazović gjatë ceremonisë “Lidershipi Rajonal 2024”.