Co-PLAN organizon takime pune në 6 bashki në kuadër të projektit “Hartimi i Strategjive Lokale për Reduktimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë dhe Planet e Veprimit për 6 Bashkitë e Qarkut Fier”

Co-PLAN – Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe MetroPOLIS në kuadër të projektit “Hartimi i Strategjive Vendore të Zvogëlimit të Riskut nga Fatkeqësitë dhe Planeve të Veprimit për 6-të Bashkitë e Qarkut Fier” organizuan takime pune në bashkitë Fier, Lushnje, Divjakë, Patos, Roskovec dhe Mallakastër me qëllim orjentimin e aktiviteteve dhe investimeve të ardhshme për zvogëlimin dhe menaxhimin e riskut nga fatkeqësitë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe ndër-institucionale.

Qarku i Fierit, për shkak edhe të pozicionit të tij, në ultësirën perëndimore të vendit, konsiderohet si një qark i ekspozuar ndaj rrezikut nga fatkeqësitë të ndryshme. Ndryshimet klimatike e kanë bërë incidencën e këtyre ngjarjeve më të lartë, duke gjetur autoritetet vendore dhe popullsinë të papërgatitur në lidhje me masat që duhet të merren për parandalimin, përgatitjen, përgjigjen dhe rimëkëmbjen pas fatkeqësisë.

Gjatë takimeve, ekspertët tanë patën mundësi të ndanin ekspertizën e tyre rreth zvogëlimit të riskut me grupin ndërsektorial të punës të ngritur nga secila bashki, si dhe të diskutonin për hapat konkrete që duhet të ndërmarren për adresimin e problematikave. Në këto takime u prezantuan konceptet e para për vizionin, objektivat strategjike dhe projekt ide të cilat u diskutuan në mënyrë të detajuar. Këto ishin vetëm takimet e para në kuadër të hartimit të strategjive, dhe më pas diskutimi do të zgjerohet duke përfshirë grupe të tjera interesi dhe qytetarët.

 

Ky projekt financohet nga UNDP në kuadër të projektit: “Forcimi i aftësive ripërtëritëse në Shqipëri” RESEAL dhe mbështetet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile. Projekti RESEAL financohet nga Qeveria Suedeze dhe ajo Portugeze.

 

Share this Post