Drejt një mekanizmi më efektiv për financimin e zhvillimit rajonal në Shqipëri

Lexoni artikullin e plotë: Albania Towards a more Effective Financing Mechanism

Qeverisja Territoriale në Shqipëri, I, 2018, Faqja 24-37

Kejt Dhrami, Anila Bejko (Gjika)

Përmbledhje

Me miratimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, SKZHI (2015-2020), në vitin 20161,
Shqipëria ka ndërmarrë një hap shumë domethënës për ngritjen e një kornize të qëndrueshme ligjore/ institucionale për zhvillimin rajonal. Gjithsesi, nevojitet të hidhen disa hapa të tjerë të rëndësishëm, në mënyrë që zhvillimi rajonal të mund të adresojë realisht pabarazitë në territor e të promovojë kohezionin ekonomik, social e territorial. Korniza ligjore mbi ZHR-në nuk është ende e plotë, ndërkohë që organizimi institucional është gjithashtu i paqartë. Në kuadër të nismave për përshtatjen e ZHRsë ndaj Politikës së Kohezionit të BE-së, në vitin 2015 u përcaktuan katër Zona të Zhvillimit Rajonal. Këto janë ndarje territoriale joadministrative, por statusi i tyre është ende në diskutim. Ndërkaq, në Progres Raportin e vitit 2018, në Kapitullin 22, KE e vlerëson ecurinë e Qeverisë Shqiptare në lidhje me zhvillimin e politikave rajonale si ‘mesatare’. Në fakt, në Shqipëri mund të identifikohet një numër mjaft i vogël projektesh rajonale me impakt në zhvillimin rajonal të cilat varen nga prioritetet kombëtare, nga mënyra si shpërndahen fondet e donatorëve etj. I vetmi mekanizëm që historikisht ka financuar (e vazhdon të financojë) zhvillimin rajonal në Shqipëri është Fondi i Zhvillimit të Rajoneve. Ky fond përcaktohet çdo vit nga ministritë e linjës dhe shpërndahet bazuar në programin operacional respektiv të përvitshëm. Problemi kryesor me FZHR-në qëndron në mungesën e një vizioni e politike të qartë që të orientojë investimet e të funksionojë si një kornizë monitoruese për ndërhyrjet e propozuara. Në praktikë, ka dy çështje kryesore që pengojnë funksionimin e tij si një mekanizëm efektiv për mbështetjen e zhvillimit rajonal: paparashikueshmëria e prioriteteve të investimeve dhe fragmentimi i fondit në shumë ndërhyrje të shkallës së vogël. Sigurisht, FZHR-ja ka potencialin për t’u zhvilluar sipas një qasjeje programimi, duke u pasuruar me tregues të performancës, në mënyrë që të kontribuojë në politikat e brendshme të zhvillimit rajonal dhe njëkohësisht të ecë paralel me Politikën e Kohezionit të BE-së. Gjithsesi, sistemi i caktuar për FZHRnë aktualisht është shumë kompleks e i papërshtatur me kërkesat e BE-së në kontekstin e fondeve të para e pas aderimit.
Ky artikull bën një diskutim në lidhje me FZHR-në, duke trajtuar disa aspekte të mënyrës së shpërndarjes së tij, dhe jep disa rekomandime mbi reformimin e nevojshëm.

Share this Post