Sfidat dhe rruga drejt zhvillimit rajonal në Shqipëri
Lexoni artikullin e plotë: Challenges of Regional Development in Albania
Qeverisja Territoriale në Shqipëri, I, 2018, Faqja 08-23;
Fiona Imami, Anila Bejko (Gjika), Dritan Shutina
Përmbledhje
Zhvillimi rajonal dhe ai territorial janë nxitur përgjithësisht nga qëllime dhe objektiva politike të ndryshme, të paktën siç dëshmohet nga praktika. Duke qenë një proces specifik për kontekstin në të cilin ndodhin/zbatohen këto reforma, nuk ekziston një formë, një metodologji apo një proces i paracaktuar për t’u adoptuar në mënyrë të njëjtë në secilin prej konteksteve. Zhvillimi rajonal është instrumenti që adreson çështjet që lidhen me disbalancat ekonomike dhe sociale të një vendi, ndonëse qasja për ta nxitur atë ndryshon në varësi të territorit dhe strukturës institucionale.
Zhvillimi Rajonal në Shqipëri, ndër vite, është penguar nga pasiguria dhe paaftësia e qeverive për të
vendosur nëse do të ndërmarrin vetëm reforma në kuadër të zhvillimit socio-ekonomik, me qëllim balancimin e nevojave dhe politikave të brendshme, apo edhe reforma administrative qeverisëse, për të përmbushur kërkesat e BE-së dhe për të rritur kapacitetet e brendshme.
Ndërkohë që diskutimi për zhvillimin rajonal është rimarrë disa herë në gjashtëmbëdhjetë vitet e fundit, ende ka paqartësi në zgjedhjen midis Politikës së Zhvillimit Rajonal (si të sigurohet financimi i duhur/ shpërndarja e burimeve dhe vendosja e prioriteteve për zhvillimin socio-ekonomik) dhe Rajonalizimit (decentralizimi/dekoncentrimi i politikave të mëtejshme dhe ofrimi i shërbimeve në nivel rajonal). Në thelb, të dyja janë opsione që synojnë të përmirësojnë cilësinë e jetës për qytetarët. Si të tilla, sikurse diskutohet në këtë artikull, këto opsione të politikave nuk janë reciprokisht ekskluzive. Përkundrazi, Zhvillimi Rajonal, nëse zbatohet me sukses, mund të hapë rrugën për decentralizimin/dekoncentrimin e mëtejshëm të qeverisjes në nivel rajonal.
Kështu, artikulli përshkruan së pari proceset që kanë ndodhur deri më tani në lidhje me Zhvillimin Rajonal dhe implikimet e tyre në politikëbërje. Duke marrë parasysh situatën aktuale të zhvillimit dhe
procesin e integrimit në BE, dokumenti argumenton nevojën për të përfunduar dhe zbatuar reformën e zhvillimit rajonal duke u fokusuar në dy drejtime kryesore: atë të ndërtimit të strukturave institucionale dhe alokimit të burimeve nga njëra anë dhe atë të vendosjes së një modeli të ri qeverisjeje nga ana tjetër.