Punë Kërkimore të Aplikuar për Politika Publike
Qëllimi i Co-PLAN është i dyfishtë: a) forcimi i mëtejshëm i kapaciteteve të brendshme në fushën e projekteve kërkimore; b) aplikimi i rezultateve të studimit të politikave me qëllim ndikimin e zhvillimit dhe zbatimit të tyre. Ky qëllim formëzohet në një kontekst ku alternativat për politika të mirëfillta dhe të zbatueshme ose mungojnë ose ngrihen mbi debate dhe vendimmarrje ad-hoc.
Programi MPW u mbështet nga fondi HRGGP për organizata dhe projekte të tipit “think tank”, gjatë periudhës 2008 – 2010. MPW synoi të influencojë arenën e politikëbërjes në Shqipëri përmes zhvillimit të punës studimore në nivel politikash për këto tema specifike:
- Administrimi Publik në Shqipëri – Administrimi i Territorit
- Transferimi i Pronave Publike – Manaxhimi i Pronave Publike
- Fuqizimi i Manaxhimit Mjedisor në Nivel Lokal dhe Rajonal
- Industria e Strehimit në Shqipëri
- Taksa e pronës: Zgjidhje Inovative për Financat Bashkiake në Shqipëri
Të gjitha temat lidhen me çështjen e decentralizimit, fuqizimin e qeverisjes vendore dhe forcimin e marrëdhënieve midis niveleve të ndryshme të qeverisjes. Proçesi i hartimit të politikave për të tre temat ka nisur tashmë në Shqipëri dhe pritet që do të ketë një vazhdimësi disa-vjeçare.
Zbatimi i MPW, jo vetëm që ofroi gjetje dhe rekomandime të vlefshme në lidhje me proçesin e politikëbërjes sa i përket tre temave të mësipërme, por synoi të ushqejë debatet publike dhe të punojë ngushtësisht me qeverinë, sektorin e shoqërisë civile dhe median.
Tema 1: Administrimi Publik në Shqipëri: struktura, administrimi i territorit, ekonomitë e shkallës dhe shërbimet publike
Qëllimi i studimit brenda kësaj teme ishte të kontribuojë në fuqizimin e proçesit të decentralizimit në Shqipëri, duke ofruar një analizë krahasimore mbi opsionet e ndarjes territoriale, si edhe rekomandime në nivel politikash. Këto rekomandime do të bazohen në konkluzionet dhe impaktet e pritshme të opsioneve të ndryshme (bashkëveprim ndërkomunor, njësi të përbashkëta shërbimesh, bashkime (amalgamim) të njësive të qeverisjes vendore, etj).
Co-PLAN do të mbështetë diskutimin politik me argumente dhe gjetje shkencore dhe do të bashkëpunojë ngushtësisht me institucionet e qeverisjes, duke kontribuar në këtë mënyrë në zbatimin e mëtejshëm të reformës territoriale dhe të administrimit publik në Shqipëri – një çështje me ndjeshmëri të lartë politike në vend. Gjatë vitit 2008, do të ndërmerret një vlerësim me bazë të gjerë i kornizës së administrimit të territorit në Shqipëri. Faktorët kulturorë, gjeografikë, politikë, ekonomikë (shkalla dhe shërbimet publike) do të jenë indikatorët kryesore të vlerësimit. Rekomandimet politike në fund të vitit do të bazohen edhe në bashkëpunimin e frytshëm të Co-PLAN me institucionet akademike (kombëtare dhe ndërkombëtare), ekspertë nga Europa Qendrore dhe Jug-Lindore, si edhe sektorin e shoqërisë civile në Shqipëri.
Tema 2: Transferimi i Pronave Publike drejt Pushtetit Lokal– Menaxhimi i Aseteve Publike
Në kuadër të komponentit mbi menaxhimin e aseteve vendore Co-PLAN do të eksplorojë përgjatë vitit 2008 procesin e transferimit të pronave publike drejt pushtetit vendor, duke u fokusuar tek pengesat e hasura dhe kushtet që duhen plotësuar dhe qartësuar për realizimin e procesit. Gjatë këtij viti synohet të zhvillohen diskutime dhe debate në nivel ekspertësh mbi vendim-marrjen e përgjegjshme të mënyrës si do të përdoren pronat publike. Nga ana tjetër, do të identifikohen eksperiencat e vëndeve të Europës Qëndrore dhe Lindore në transferimin e pronave publike dhe menaxhimin e aseteve për të ravijëzuar shtyllat kryesore që sjellin sukses si dhe për të kuptuar të përbashkëtat dhe divergjencat me këto vënde. Gjatë kësaj kohe do të zhvillohen dy studime kërkimore dhe një dokument politikash (policy paper) në lidhje me përgjegjshmërinë dhe vendim-marrjen mbi përdorimin dhe menaxhimin e aseteve vendore. Këto çështje dhe problematika do të diskutohen dhe ndahen me ekspertët në një tryeze kombëtare që parashikohet të organizohet gjatë muajit Nëntor 2008.
Tema 3: Përmirësimi i Menaxhimit të Mjedisit në Nivel Vendor dhe Rajonal në Shqipëri
Shqipëria ka formuluar politika mbi mjedisin, por të përkthesh një vizion në një realitet është një sfidë e ditëve të sotme. Përgjegjësitë institucionale për politikat dhe menaxhimin e mjedisit janë të fragmentizuara dhe shpeshherë të mbivendosura dhe të paqarta. Akoma nuk ka filluar konvertimi efektiv i politikave kombëtare në nivele bashkiake apo ato rajonale si dhe mungon një vështrim kritik mbi politikat e decentralizimit në Shqipëri.
Në kuadrin e përpjekjeve kombëtare në fushën e mjedisit, ky studim kërkimor përqendrohet në menaxhimin e mjedisit në nivele vendore dhe rajonale, duke kontribuar në politikat institucionale bashkiake dhe rajonale nëpërmjet (i) propozimit të modeleve institucionale për një menaxhim të mjedisit në nivel vendor (ii) dhënia e opsioneve të ndryshme në formën e politikave apo të rekomandimeve në fushën e menaxhimit të mjedisit.
Gjatë vitit të parë të zbatimit, projekti do të fokusohet në mbeturinat e ngurta, si një nga shërbimet publike më të rëndësishme që ka një ndikim të jashtëzakonshëm në mjedis. Përpjekjet kërkimore do të përqendrohen në një analizë të integruar të shërbimit duke synuar matjen e ndikimit, mekanizmat zhvilluese për monitorimin e shërbimit, vlerësimin e ndryshimeve që një sistem i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve të Ngurta do të sillte në politikat tërësore të mjedisit në nivel vendor, dhe së fundi ne dhënien e rekomandimeve.
Tema 4: Industria e Strehimit në Shqipëri
Qëllimi i këtij studimi është të shtjellojë bazat e ecurisë të industrisë së ndërtimit në Shqipëri përgjatë një cikli 18-vjeçar duke u fokusuar më së shumti në raportet dhe rolin që luajnë forcat e tregut. Një vëmendje e veçantë në këtë studim do i jepet efekteve që ka industria e ndërtimit të banesave në ekonominë Shqiptare dhe në hapësirën publike e shoqëruar nga lëvizjet demografike, sikurse të japë informacione dhe rekomandime ku mund të ndërthuren politikat e strehimit dhe planet strategjike për ta orientuar industrinë e ndërtimit në një platformë të tillë e cila do mund ti përgjigjej sa më mirë nevojave të komunitetit e në harmoni me hapësirën urbane, ndërkohë që investimet kthehen në përfitime reale për industrinë e ndërtimit dhe ekonominë e vendit.
Tema 5: Taksa e pronës: Zgjidhje Inovative për Financat Bashkiake në Shqipëri
Eksplorimi i takses së pronë në të gjithë kompleksitetin e saj ishte një çështje e rëndësishme në agjendën kërkimore të “Ndikimi i Politikëbërjes”. Kjo erdhi si hap i detyrueshëm për t’u ndërmarrë nga Co-PLAN pas punës me tetë bashki duke i ndihmuar ato në përmirësimin e performancës financiare, përmes përgatitjes së planeve të investimeve kapitale dhe gjenerimit më të mirë të taksave, sidomos ate të pronës.Studimi kërkimor u ndërmerr për të eksploruar alternativa të reja financimi që qeveritë vendore mund të përdorin si instrumente për t’ju përgjigjur nevojave në rritje për infrastrukturë në qytete, duke u përqendruar në rolin që mund të luajnë bashkitë si një rregullator i rëndësishëm në proçesin e administrimit të tokës përmes përdorimit të “duhur” të taksës së pronës në nivel lokal.Projekti u pa si i përbërë nga dy komponentë kryesorë, (i) I pari i lidhur me mënyrën inovative me të cilën qeveritë vendore mund të adoptojnë taksat që lidhen me sektorin e strehimit, për të gjeneruar më shumë të ardhura për nevojat e investimeve kapitale në qytete (ii) dhe e dyta e lidhur me rekomandimet politike për institucionet publike në nivel qëndror dhe lokal në përdorimin e taksës së pronës si një instrument për përmirësimin e administrimit të tokës në Shqipëri.
Ju mund të lexoni më shumë në lidhje me projektin në blogun: Making Policies Work.