Nis Programi për Zhvillimin Rajonal

Sot, në datë 17 maj 2017, Ecorys në bashkëpunim me Co- PLAN, Institutin për Zhvillimin e Habitatit dhe Ministrinë e Zhvillimit Urban organizuan lancimin e Projektit për Zhvillimin Rajonal, I cili financohet nga Agjencia Zviceriane për Zhvillim (SDC) dhe Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).

Qëllimi i projektit është reduktimi i pabarazive në Shqipëri duke mbështetur zhvillimin e rajoneve të forta, të cilat nëpërmjet avancimit të potencialeve përkatëse, do të sigurojnë kushte më të mira sociale dhe ekonomike për qytetarët e tyre. Objektivat e projektit janë: (a) Mbështetje për qeverinë në përcaktimin, koordinimin dhe implementimin e kuadrit ligjor institucional për zhvillimin rajonal; (b) Mbështetje për institucionet e reja të zhvillimit rajonal për të siguruar përdorimin strategjik dhe eficient të fondeve, nëpërmjet një qasje bashkëpunimi;(c) Përmirësimi I kushteve socio-ekonomike të qytetarëve shqiptarë nëpërmjet implementimit të projekteve, të cilët reflektojnë nevojat dhe prioritetet rajonale. 

 

Në fjalën e tij Ambasadori i Zvicrës, Z.Christoph Graff theksoi se ka rajone me potencial zhvillimi jo vetem rreth qyteteve të medha. “Ja pse reforma e zhvillimit rajonal ka shumë rëndësi: ajo synon të promovojë një zhvillim më të balancuar social-ekonomik të vendit dhe të nxisë zhvillimin e rajoneve të forta”, tha Ambasadori Graff.